×
Saturday, May 30, 2026

Rama për Zvërnecin: Nuk po falet asnjë pronë shtetërore, toka është private

May 30, 2026


Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, reagoi ndaj debatit publik që ka shoqëruar projektin e zhvillimit në zonën e Zvërnecit, duke hedhur poshtë pretendimet se shteti po fal pasuri publike në këtë zonë.

Rama e cilësoi si “lajm të rremë” narrativën se prona shtetërore po i kalon investitorëve, duke sqaruar se territori ku parashikohet investimi është pronë private dhe nuk i përket shtetit shqiptar.

“Për zhurmën e madhe të ngritur mbi një lajm të rremë, sa nuk thuhet se gjoja shteti po fal Zvërnecin, sqaroj se shteti nuk po fal asgjë, pasi aty nuk ka asgjë për t’u falur. Ajo është pronë private dhe investitorët e përfshirë në atë proces janë seriozë dhe atë rol e kanë marrë nga privatët”, deklaroi Rama.

Kryeministri bëri dallimin mes projektit në Zvërnec dhe zhvillimeve të planifikuara në ishullin e Sazan, duke theksuar se në këtë rast shteti është palë e drejtpërdrejtë përmes Korporata Shqiptare e Investimeve.

“Shteti, nga ana tjetër, ka pasuri në anën tjetër të projektit, që është Sazani, ku ende sot nuk kanë përfunduar negociatat, pasi Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit. Shteti shqiptar do të jetë aty dhe toka e ishullit do të mbetet pronë e shtetit shqiptar”, u shpreh ai.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur projektet e zhvillimit turistik në zonën bregdetare të Zvërnecit kanë nxitur debate dhe kundërshtime nga banorë dhe aktivistë mjedisorë. Në ditët e fundit janë zhvilluar edhe protesta, ku është kërkuar mbrojtja e zonës dhe shmangia e ndërhyrjeve në hapësirat e konsideruara me vlera natyrore dhe mjedisore.

Kreu i qeverisë insistoi se projekti nuk përfshin transferim të pronës shtetërore dhe se çdo proces zhvillimi do të realizohet në përputhje me kuadrin ligjor dhe interesin publik.




Comments are closed.