×
Thursday, March 27, 2025

Lajçak: Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog

June 18, 2020


I dërguari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak theksoi se “pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të rifillojë së shpejti”

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në ditën e fundit të vizitës së tij në Prishtinë, ka përmbledhur në një konferencë për media atë se çfarë ka diskutuar me udhëheqës të institucioneve të larta, liderë politikë si dhe diplomatë ndërkombëtarë në Kosovë.

I dërguari evropian theksoi se “pret që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të rifillojë së shpejti” dhe të përmbyllet me marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Siç tha ai, kjo marrëveshje do të jetë e pranueshme për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin si dhe për BE-në.

“Mandati im është shumë i qartë. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura. Dialogu ka një histori 10 vjeçare, disa marrëveshje janë zbatuar, disa janë arritur, por nuk janë zbatuar, pra do të shkojmë në fund të këtij procesi për t’i zgjidhur dhe adresuar të gjitha çështjet, për këtë unë e kam fjalën kur flas për marrëveshje gjithëpërfshirëse ”, theksoi Lajçak.

Ai tha se “ka pasur takime shumë konstruktive dhe të dobishme” me udhëheqësit politikë në vend, ndërsa tha se në këto takime ka theksuar se “Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog”.

“Ne diskutuam se si të ecim përpara për të rifilluar shpejt dialogun, përfshirë hapa konkrete, në të dhëna, metodologji, modalitete, prioritete dhe mbi të gjitha pritje të përgjithshme. Dhe, jam shumë i lumtur të shoh se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është përparësi për qeverinë”, tha Lajçak.

I dërguari evropian për dialogun tha javën e ardhshme do ta vizitojë Beogradin, ndërsa pas vizitës atje do të përcaktojë datën e saktë se kur do të rifillojë dialogu në Bruksel, megjithëse tha se një gjë e tillë “do të ndodhë së shpejti”.

Lajçak vlerësoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja gjatë 10 viteve ka sjellë rezultate konkrete dhe të rëndësishme për qytetarët, mallrat të cilat tani lëvizin lirshëm, integrimi i policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e Kosovës, kodin telefonik ndërkombëtar për Kosovën e të tjera.

“Kosova është pjesë e Evropës. Problemet tuaja janë problemet tona. Suksesi juaj është suksesi ynë. Dhe e ardhmja juaj është evropiane. Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian shkon nëpërmjet këtij dialogu dhe kjo theksohet me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në 2010 dhe në të gjitha konkluzionet e Këshillit të Evropës”, theksoi Lajçak.

Ai përsëriti se bashkëpunimi BE-SHBA në Ballkan ka qenë gjithmonë i suksesshëm, por nuk e komentoi thirrjen e dy qeverive për një takim në Shtëpinë e Bardhë në Washington më 27 qershor.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet kosovare patën vendosur tarifë 100 për qind për mallrat e Serbisë si kundërpërgjigje ndaj fushatës serbe për tërheqje të njohjeve të pavarësisë dhe pengim në anëtarësimin e saj në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments