Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka dënuar aktet e dhunës të regjistruara gjatë mbrëmjes, kur flakët prekën Gjykatën e Lartë, ndërsa sipas raportimeve u dëmtua edhe hyrja e Bankës së Shqipërisë. Ai theksoi se sulmet ndaj institucioneve të pavarura nuk mund të justifikohen me të drejtën për të protestuar.
Përmes një reagimi publik, Gogu vuri në dukje se Gjykata e Lartë dhe Banka e Shqipërisë janë institucione të pavarura, të cilat u shërbejnë qytetarëve dhe nuk përfaqësojnë qeverinë.
“Dy institucione të pavarura. Asnjëri nuk është zyrë e qeverisë. Të dy i shërbejnë vendit dhe qytetarëve”, deklaroi ministri.
Duke iu referuar protestave dhe tensioneve të fundit, Gogu theksoi se e drejta për të protestuar duhet të respektohet, por nuk mund të shërbejë si justifikim për veprime të dhunshme.
“Edhe ata që protestojnë, edhe ata që janë të zemëruar me qeverinë, kanë të njëjtën të drejtë për drejtësi. Protesta është një e drejtë. Dhuna nuk është protestë”, u shpreh ai.
Ministri falënderoi ekipet zjarrfikëse për ndërhyrjen e tyre, ndërsa shprehu solidaritet me gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës së Lartë.
Ai konfirmoi gjithashtu gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë për të ofruar mbështetjen e nevojshme brenda kompetencave ligjore, duke respektuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor.
“Njerëzit nuk duhet të paguajnë çmimin e dhunës. Dera e drejtësisë duhet të mbetet e hapur për të gjithë”, përfundoi Gogu.


