Kurti takim me shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut: Do të forcojmë mbështetjen dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre

29 Aug 2026 17:45
Shpërndaje:

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile nga Presheva, Bujanoci, Medvegja dhe Sanxhaku, me të cilët ka diskutuar situatën dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet shqiptare në këto zona.

Në qendër të diskutimeve ishte respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Kurti ngriti shqetësimin për problematikat me të cilat, sipas tij, vazhdon të përballet komuniteti shqiptar dhe theksoi nevojën për vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme.

Kryeministri në detyrë bëri të ditur se Kosova synon të forcojë mbështetjen për shqiptarët e Luginës së Preshevës përmes formave të ndryshme, duke i kushtuar vëmendje të veçantë studentëve, fëmijëve dhe komuniteteve shqiptare në përgjithësi.

Reklamë Ola

Sipas Kurtit, angazhimi i institucioneve të Kosovës nuk do të kufizohet vetëm te mbështetja e drejtpërdrejtë. Ai theksoi se Prishtina po e trajton çështjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës edhe në arenën ndërkombëtare, duke kërkuar që interesat dhe problematikat e tyre të marrin vëmendjen e duhur në forumet ndërkombëtare.

Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu zhvillimet e fundit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe situata e shqiptarëve në Sanxhak.

Reklamë InterMedika

Takimi me rreth 70 përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile u fokusua në evidentimin e sfidave konkrete të komuniteteve shqiptare dhe në mënyrat për të forcuar mbështetjen institucionale të Kosovës ndaj tyre.