Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi i radhës me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të zhvillohet sapo palët të bien dakord, ndërsa ka shprehur shpresën se bisedimet do të çojnë në një marrëveshje për një kandidat konsensual për presidentin.
Kurti tha se opinioni publik do të njoftohet në momentin që të përcaktohet takimi i ardhshëm mes tij dhe kreut të LDK-së.
“Do t’ju njoftojmë me kohë, posa të merremi vesh për takimin e radhës dhe shpresojmë edhe për marrëveshje”, deklaroi Kurti, raporton KosovaPress.
Në qendër të diskutimeve mes dy liderëve politikë është gjetja e një emri që mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme për postin e presidentit të Kosovës.
Në takimin e fundit, Kurti dhe Abdixhiku konfirmuan se bisedimet kishin avancuar dhe se, për herë të parë, mes tyre ishin diskutuar edhe emra konkretë për presidentin.
Megjithatë, deri tani nuk është bërë publik asnjë prej emrave të diskutuar dhe nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare. Palët pritet të vazhdojnë konsultimet me synimin për të gjetur një kandidat konsensual dhe për të shmangur një tjetër ngërç politik.


