“Kryeministri i Landit të Baden-Württemberg Cem Özdemir bëhet kuq e zi”/ Balla: Forcojmë miqësinë dhe bashkëpunimin shqiptaro-gjerman edhe në nivel të landeve

21 Oct 2026 • 12:23
Shpërndaje:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëkohësisht i Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Gjermani, Taulant Balla, ka falënderuar Kryeministrin e Landit Baden-Württemberg, Cem Özdemir, për pritjen e delegacionit parlamentar shqiptar gjatë vizitës zyrtare në Shtutgart, më 18–20 tetor.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit edhe në nivel të landeve gjermane.

“Kryeministri i Landit të Baden-Württemberg Cem Özdemir bëhet kuq e zi. Faleminderit për mikpritjen e delegacionit tonë dhe forcojmë bashkëpunimin dhe miqësinë e shkëlqyer shqiptaro-gjermane edhe në nivel landi. Mirënjohje për mbështetjen e dhënë për diasporën shqiptare”, shkruan Balla.

Reklamë Ola

Postimi shoqërohet me një fotografi të Kryeministrit Özdemir, i cili mban në duar fanellën kuqezi të Kombëtares shqiptare, me emrin e tij dhe numrin 90, një dhuratë simbolike e miqësisë shqiptaro-gjermane.

Vizita e delegacionit parlamentar shqiptar në Shtutgart përfshiu takime me përfaqësues të lartë të qeverisë dhe parlamentit të landit Baden-Württemberg, mes tyre Kryeministri Cem Özdemir, Sekretarin e Shtetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Florian Haßler dhe Kryetarin e Komitetit për Evropën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Parlamentin e Landit, Peter Hauk.

Reklamë InterMedika

Në fokus të vizitës ishte forcimi i marrëdhënieve institucionale dhe parlamentare, mbështetja për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe zgjerimi i mundësive të bashkëpunimit ekonomik, investimeve, arsimit profesional dhe inovacionit.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe diasporës shqiptare në Baden-Württemberg, si një urë e rëndësishme lidhëse ndërmjet dy vendeve.