×
Sunday, October 2, 2022

Kosovë, dështojnë bisedimet për formimin e qeverisë së re

December 25, 2019

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nesër në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës do të shkojnë pa marrëveshje për shkak të pamundësisë për ndarjen e përgjegjësive. Kjo është bërë e ditur nga vetë kreu i VV-së Albin Kurti përmes një video-mesazhi në profilin e tij në Facebook.

“Oferta ime e parmbrëmshme e datës 23 dhjetor 2019 u refuzua dje. Ajo kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Dihet se VV si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK i takon nënkryetari i dytë. Le të bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë dhe kësisoj LDK e ka kryeparlamentarin dhe VV i ka dy nënkryetarët e Kuvendit”, tha ai.

Kurti ka propozuar që çështja e postit të presidentit të mbetet për më vonë, por nëse partneri i koalicionit të mundshëm qeverisës LDK insiston për marrjen e këtij posti, atëherë sipas tij Lëvizjes Vetëvendosje duhet t’i shtohet edhe një ministri – ajo e Punëve të Brendshme.

“Nominimi i LDK-së për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet konsensual jashtë partiak, kurse të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose të saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së.

Ai ka përmendur edh epikën e tretë, e cila ka të bëjë me kërkesën e LDK-së që MKRS të ndahet, me ç’rast kultura dhe rinia i kalojnë MASHT-it, ndërsa Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pakicat jo serbe e marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakicat serbe Ministrinë për Komunitete”, tha ai.

Kurti ka përmendur se gjatë bisedimeve të deritanishme ka bërë katër kompromise derisa LDK-ja asnjë.

“Programi im qeverisë është 50 për qind nga ai i LDK-së, zëvendëskryeministri i parë do të jetë nga radhët e LDK-së, pesë ministri në qeveri do të jenë të LDK-së, e cila edhe zgjodhi si të përzgjidhen ato, pasi që insistonte që medoemos të zgjidhte e para”, ka thënë Kurti. Ai ka folur edhe rreth ofertës së fundit të VV-së për LDK-në, për të cilën tha se ishte koncesioni i pestë  i LDK-së, raporton Kosova Press.

“Përtej kësaj ndryshe nuk mundemi, nuk duam dhe s’kemi ku shkojmë. Duam ta ndajmë përgjegjësinë qeverisëse me drejtësi e bujari duke lëshuar pe edhe pse fitues”, tha Kurti. “Pritja i kushton shtetit, por detyrohemi të presim pasi nuk dëshirojmë zgjedhje të reja”, ka shtuar ai.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments