Kosova rrezikon të humbë 166 milionë euro nga BE-ja për shkak të ngërçit institucional

06 Sep 2026 13:15
Shpërndaje:

Kosova rrezikon të humbë një pjesë të konsiderueshme të fondeve të parashikuara nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian, nëse vendi vazhdon të mbetet pa institucione të formuara dhe funksionale.

Ekspertët paralajmërojnë se pasojat e zvarritjes së krijimit të institucioneve mund të jenë të mëdha dhe, në disa raste, të pariparueshme, pasi përfitimi i fondeve europiane lidhet drejtpërdrejt me realizimin e reformave të përcaktuara.

Vetëm deri në fund të qershorit, Kosova humbi më shumë se 50 milionë euro, pasi nuk arriti të përmbushte të gjitha reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit.

Reklamë Ola

Nga 13 rekomandime të parashikuara, Kosova arriti të realizonte vetëm shtatë, ndërsa gjashtë të tjera mbetën të papërmbushura.

Megjithatë, kostoja financiare mund të bëhet ndjeshëm më e lartë në muajt e ardhshëm. Nëse institucionet nuk krijohen deri më 31 dhjetor, Kosova rrezikon të humbë në total rreth 166 milionë euro të parashikuara nga Plani i Rritjes për këtë vit.

Reklamë InterMedika

Kuvendi i Kosovës miratoi më 13 shkurt 2026 marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Europian në kuadër të Planit të Rritjes, përmes të cilit parashikohen më shumë se 880 milionë euro për Kosovën.

Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, rreth një e treta e mbështetjes do të jepet në formën e granteve, ndërsa 629 milionë euro parashikohen në formën e kredive.

Murati ka theksuar se disbursimi i këtyre fondeve lidhet me zbatimin e reformave të përcaktuara për Kosovën. Megjithatë, bllokada në Kuvend dhe mungesa e institucioneve funksionale kanë bërë që procesi të mbetet i bllokuar prej muajsh.

Nëse ngërçi politik vazhdon, Kosova rrezikon jo vetëm vonesa në realizimin e reformave, por edhe humbjen e fondeve europiane të destinuara për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendit me Bashkimin Europian.