Kosova po përballet sërish me rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk arrijnë të sigurojnë kuorumin prej 80 deputetësh të nevojshëm për procesin e zgjedhjes së Presidentit.
LVV dhe LDK propozuan më 31 gusht ish-gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu, si kandidat për President. Megjithatë, kandidatura e tij hasi kundërshtime brenda vetë LDK-së, pasi gjashtë deputetë të kësaj force politike refuzuan ta mbështesin.
Pavarësisht situatës së krijuar, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se marrëveshja politike me LDK-në vazhdon të jetë në fuqi dhe paralajmëroi takime të tjera me kreun e kësaj partie, Lumir Abdixhiku.
“Do të zhvillojmë edhe takime edhe mbledhje, për ne, marrëveshja politike ende është valide”, deklaroi Kurti.
Nga ana tjetër, Abdixhiku e ka interpretuar refuzimin e gjashtë deputetëve të LDK-së si një zhvillim që e afron vendin me zgjedhjet e reja.
“Dje u refuzua zgjidhja e Presidentit të Kosovës. U refuzua votimi i kandidatit të propozuar nga LDK-ja dhe, me këtë refuzim, u përcaktua edhe fati i vendit, zgjedhje të reja. Dëm mund të bëjë çdokush. Për këtë, ja dora”, shkroi Abdixhiku, duke shprehur pakënaqësinë ndaj gjashtë deputetëve të partisë së tij.
Sipas analistit Arbnor Sadiku, zhvillimet e fundit tregojnë se Kosova është aktualisht më pranë zgjedhjeve të reja sesa arritjes së një marrëveshjeje të re për Presidentin.
“Mund të konsiderohet se ka pasur një dështim dhe në të njëjtën kohë që vendi është më afër zgjedhjeve të reja sesa mund të ketë një marrëveshje të re. Krejt kjo situatë ndodhet në duart e z. Kurti, varësisht se si dëshiron të orientojë situatën”, tha Sadiku.
Sipas tij, Kurti ka dy mundësi: të çojë vendin drejt zgjedhjeve ose të kërkojë votat e nevojshme për kandidaturën e Sejdiut përmes negociatave individuale me deputetë të forcave të tjera politike. Një tjetër mundësi do të ishte ndryshimi i kandidatit për President.
Megjithatë, hapësirat për një marrëveshje me partitë e tjera mbeten të kufizuara. Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë dhe nuk ka sinjalizuar gatishmëri për bashkëpunim me Kurtin për këtë çështje.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nga ana tjetër, ka paraqitur gjashtë kushte për bashkëpunim, mes tyre edhe pranimin e projektit amerikan të gazit. Pa përmbushjen e këtyre kushteve, kjo forcë politike ka deklaruar se nuk do ta ndihmojë Kurtin në zgjedhjen e Presidentit.
Kosova zhvilloi më 7 qershor zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme, pasi në fillim të vitit dështoi të zgjidhte Presidentin e ri. Ngërçi i fundit rreth kandidaturës së Bekim Sejdiut rrezikon ta rikthejë vendin sërish në një proces zgjedhor.


