×
Wednesday, June 17, 2026

Koronavirusi/Suedia, kundër izolimit. Hollanda ‘mea culpa’, masat jo të rrepta dështuan

April 1, 2020


Në Evropë, secili shtet po i përgjigjet pandemisë Covid- 19 në mënyrën e tij. Megjithatë në këto ditë ku pandemia po merr përmasa dramatike në kontinentin Evropian, të gjitha vëndet po marrin pak a shumë të njëjtat masa duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi. Këto masa synojnë ndaljen e përhapjes së infeksionit dhe shkëputjen e zinxhirit të infektimit gjë që do të ndikojë në lakoren e vdekshmërisë.

Pavarësisht se ndryshon intensiteti dhe ashpërsia e masave në vende të ndryshme për shkak të paraqitjes së një panorama të ndryshme të infektimeve, ekziston një shtet në të cilin gjithçka duket se vazhdon sikur asgjë të mos ketë ndodhur: Suedia. Atje shkollat, kopshtet, baret, restorantet, vendpushimet e skive, klubet sportive, parukeritë madje edhe kinematë, si dhe kufijtë, mbeten të hapura. Pavarësisht se javë më parë gjithçka u mbyll edhe në Danimarkën dhe Norvegjinë fqinje.  Kjo rezistencë ndaj këshillave të  të Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ngjan zgjedhjes së Vendeve të Ulëta, vendi i fundit i madh europian që i’u dorëzua izolimit. Ishte një “mea culpa” e bërë nga autoritetet e Amsterdamit të cilat u shprehën se: “Masat e buta kanë dështuar”.  

Pavarësisht këtij fakti duket se Suedia nuk do që të marrë parasysh përvojën hollandeze. Në bazë të raportimeve të The Guardian, vetëm universitetet janë mbyllur dhe qeveria ka forcuar ndalimin e eventeve publike të Premten për t’i kufizuar ato në jo më shumë se 50 individë. Sidoqoftë, nëse qytetarët zhvillojnë simptoma të ngjashme me ato të Covid-19, ata mund të kthehen me siguri në punë ose shkollë dy ditë pasi të ndjehen më mirë, dhe nëse një prind fillon të përjetojë simptoma, ata mund të vazhdojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë. Ata mbi 70 vjeç, ose njerëzit me probleme shëndetësore para-ekzistuese, u është kërkuar të qëndrojnë në shtëpi përveç një shëtitje të përditshme. Vizitat në shtëpitë e pleqve për të moshuarit janë të kufizuara.

Infeksionet në vendin skandinav janë rreth 5000 të konstatuara dhe 239 vdekje janë regjistruar deri në këto momente sipas të dhënave nga John Hopkins. Kur Kryeministri Stefan Löfven njoftoi të premten e kaluar masat e para, shumë të lehta, të ndërhyrjes, ai tha se gjërat do të vështirësohen në të ardhmen, por për momentin ai u kërkoi bashkëqytetarëve të tij të sillen “si të rritur” dhe të mos përhapin “panik”.

Pavarësisht masave jo drastike, përgatitjet spitalore tashmë janë duke u zhvilluar dhe një spital fushor tashmë është duke u ngritur në Stokholm gjë që të kujton afrimin e një emergjence shëndetësore. Ndërsa pak metra më tutje njerëzit vazhdojnë të mblidhen në vende publike, pa pasur frikë nga infektimi. Duhet thënë se vendi ka një popullsi prej 10 milion banorë, më pak se popullsia e Londrës, dhe janë të shpërndarë në një sipërfaqe prej 450 mijë kilometrash katrorë, gati dyfishin e Mbretërisë së Bashkuar. Por padyshim që dendësia e popullsisë në qytete të mëdha si Stokholmi (një milion banorë) nuk është ajo e pjesës rurale.

Duke  pasur një linje të ngjashme me atë të Mbretërisë së Bashkuar disa javë më parë, Anders Tegnell, epidemiolog i qeverisë Suedeze, tha se ai besonte se ishte kundërproduktive të futeshin kufizimet më të rrepta në një faze të hershme. “Për sa kohë që zhvillimi i epidemisë Suedeze mbetet në këtë nivel,” tha ai për gazetën britanike, “Unë nuk shoh ndonjë arsye të madhe për të marrë masa që mund të mbështeten vetëm për një periudhë shumë të kufizuar“.

Pavarësisht mendimit të qeverisë, një peticion i nënshkruar nga mbi 2000 mjekë, shkencëtarë dhe profesorë javën e kaluar, përfshirë kryetarin e fondacionit Nobel, Carl-Henrik Heldin, i bënë thirrje qeverisë të vendosë masa më të rrepta për të ndërprerë zinxhirin e infektimeve në vend. “Ne nuk po testojmë sa duhet, nuk po monitorojmë, nuk po izolojmë sa duhet, kemi hequr dorë nga virusi“, tha profesoresha Cecilia Söderberg-Nauclér, studiuese e imunologjisë virale në Institutin Karolinska, dhe kështu “ata po na çojnë në katastrofë” .

Shpresa është që Suedia të mësojë nga dështimet e strategjisë Hollandeze, që deri para disa ditësh kishte një qasje pothuajse identike me atë të Stokholmit. Drejtuesit e shëndetit nga Holanda, në fakt, duhej të dorëzoheshin përballë të dhënave, të cilat sot flasin për mbi 12 mijë infeksione dhe më shumë se një mijë viktima, me spitalet thuajse në kolaps.

Lakorja e infektimeve në Hollandë vazhdon të rritet, dhe rreth 2,500 shtretër të kujdesit intensiv ka të ngjarë të nevojiten më shumë nga sa pritej nga plani i urgjencës i hartuar nga qeveria. Autoritetet tashmë kanë pranuar që përllogaritjet ishin të gabuara madje dhe “rritja në lakore ishte gjithashtu më e shpejtë në ditët e fundit “.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
oldest
newest most voted