×
Saturday, June 27, 2026

Labinot Bislimi: Mbështes protestat qytetare, por jam kundër çdo përpjekjeje për destabilizimin e Shqipërisë

June 27, 2026


Politikani kosovar Labinot Bislimi ka shprehur mbështetjen e tij për qeverinë shqiptare të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa ka deklaruar se mbështet protestat qytetare që burojnë nga interesat e qytetarëve, por kundërshton çdo përpjekje për destabilizimin e vendit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bislimi bëri të ditur se kishte zhvilluar një takim me drejtuesin politik të Partisë Socialiste për Diasporën, Taulant Balla, në Tiranë.

Ai tha se mbështet çdo qytetar që angazhohet për mbrojtjen e natyrës, mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore, si dhe çdo protestë që, sipas tij, lind nga nevojat reale të qytetarëve.

“Jam padyshim me ju sepse protestat e shprehin më së miri qytetarinë e emancipuar. E shprehin qytetarinë aktive, e cila është thelbi i një demokracie të shëndoshë”, u shpreh Bislimi.

Nga ana tjetër, ai deklaroi se është kundër çdo përpjekjeje për të marrë pushtetin përmes kryengritjes apo për të shmangur proceset demokratike.

Bislimi theksoi se kundërshton gjithashtu çdo tentativë për të shantazhuar një qeveri të zgjedhur në mënyrë legjitime, për të frikësuar mendimin ndryshe apo për të penguar debatin publik përmes fyerjeve dhe kërcënimeve.

Në reagimin e tij, ai hodhi akuza edhe ndaj atyre që, sipas tij, organizohen apo financohen nga struktura të huaja për interesa që nuk lidhen me Shqipërinë.

“Nuk ua kemi frikën dhe nuk do të kemi heshtjen tonë. Sot e përgjithmonë për një Shqipëri evropiane”, përfundoi Bislimi në postimin e tij.




Comments are closed.