Ferit Hoxha në Forumin e Dubrovnikut: Shqipëria ka vetëm një drejtim, anëtarësimin në BE
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha po merr pjesë në edicionin e 19-të të Forumi i Dubrovnikut, që zhvillohet në Dubrovnik. Në nisje të forumit, ai u prit nga homologu i tij kroat, Gordan Grlić Radman.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi Forumin e Dubrovnikut si një platformë të rëndësishme për dialog mbi të ardhmen e Evropës, sigurinë rajonale dhe sfidat globale.
Sipas tij, edicioni i sivjetshëm zhvillohet nën temën “Epoka e Multipolaritetit: Shumë Drejtime, Një e Ardhme”, por për Shqipërinë ekziston vetëm një rrugë strategjike.
“Ky edicion i 19-të i Forumit është i përqendruar në temën: ‘Epoka e Multipolaritetit: Shumë Drejtime, Një e Ardhme’. Megjithatë, për Shqipërinë ka vetëm një drejtim që të çon drejt të ardhmes sonë: anëtarësimi në BE”, u shpreh Hoxha.
Ministri theksoi se, ndërsa vendi vijon procesin e integrimit evropian, Shqipëria mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal, mbështetjen e vlerave euroatlantike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, me synimin për të ndërtuar një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë.







