Lamallari: Vendimi për Ikballe Hudutin u bazua në informacione të agjencive ligjzbatuese
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka folur për herë të parë në Euronews Albania pas vendimit për shpalljen “person i padëshiruar” të shtetases së Kosovës, Ikballe Huduti, e cila sipas autoriteteve shqiptare lidhet me Iranin.
Në një intervistë me moderatoren Alba Xhani, Lamallari tha se vendimi është marrë pas grumbullimit dhe analizimit të informacionit nga strukturat ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, Policia e Shtetit, strukturat antiterror dhe Shërbimi Informativ mbledhin në mënyrë të vazhdueshme të dhëna për persona që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë publike dhe atë kombëtare.
“Ne kemi vepruar duke akumuluar dhe përpunuar të gjithë informacionin që dispononim prej kohësh për këtë shtetase. Kjo është pjesë e punës së përditshme të agjencive ligjzbatuese, në bashkëpunim edhe me partnerët, për identifikimin e personave që mund të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare dhe interesin publik”, u shpreh Lamallari.
Ministri shtoi se Ministria e Brendshme përdor edhe mekanizma të parashikuar me ligj, përfshirë urdhrat e përgjigjes parandaluese, të cilët kërkojnë autorizimin e GJKKO-së në rastet kur ekzistojnë dyshime për financim të terrorizmit, nxitje të dhunës apo të urrejtjes.
Lamallari theksoi se rasti nuk lidhet me pjesëmarrjen në protesta, duke nënvizuar se autoritetet respektojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
“Pjesëmarrja në protestë nuk mund të përbëjë kurrsesi imunitet për këdo që ka një agjendë të caktuar, të dokumentuar nga agjencitë e zbatimit të ligjit”, deklaroi ministri.







