Koronavirusi, muaji i Ramazanit në izolim: “Lutuni në shtëpi”
Covid-19 ndryshon mënyrën e përjetimit të muajit të Ramazanit. Muaji i agjërimit i cili fillon të Premten e ardhshme dhe që është pikë takimi për mbi 1.8 miliardë besimtarë muslimanë në botë, do të zhvillohet pas dyerve të mbyllura.
Myftiu Abdul Aziz Al Shejh shpjegoi se “për këtë vit besimtarëve u kërkohet të bëjnë lutje natën në shtëpi për urgjencën shëndetësore dhe të mbrojnë shëndetin e njerëzve dhe të shmangin infektimin“. Arabia Saudite, pra, e cila zakonisht pranon miliona njerëz për lutje, ka vendosur që xhamitë e shenjta të Mekës dhe Medinës do të qëndrojnë të mbyllura këtë vit për të shmangur tubimet.
Maroku dhe Algjeria kanë njoftuar zgjatjen e masave të izolimit për një muaj tjetër. Situata e njëjtë në Tunizi dhe Libi. Në Irak shtetrrethimi është pezulluar për ditë të agjërimit por mbledhjet mbeten të ndaluara, veçanërisht gjatë natës. Maroku pas një muaji mbyllje, ka shpallur një tjetër muaj me masa shtërnguese që përfshin pjesën më të madhe të Ramazanit. Në vitet e kaluara xhamitë kryesore në vend, përfshirë atë të Hassan II të Casablanca, mirëpritën dhjetëra mijëra njerëz për lutjet e natës. “Departamentet përkatëse do të vazhdojnë të sigurojnë furnizim të mjaftueshëm për të përmbushur nevojat e konsumatorit, përfshirë ato të Ramazanit,” siguruan ministria e brendshme dhe ajo e shëndetësisë në një deklaratë. Në Marok janë regjistruar zyrtarisht 2,820 raste dhe 138 vdekje. Autoritetet vendosën masa të përmbajtjes, nën kontrollin e rreptë të policisë, pasi pezulluan rrugët ajrore dhe bllokuan kufijtë. Maska është e detyrueshme për të gjithë.
Ndërsa në Algjeri janë regjistruar 367 vdekje për Covid-19. Në një njoftim zyrtar, bllokada u zgjat deri më 29 prill. Në disa provinca, kontrolli është total, me ndalimin e lëvizjes jashtë. Në provincat e tjera më pak të prekura, kufizimet janë të pjesshme.
Faltoret dhe xhamitë e Iranit u mbyllën deri më 4 maj. Në vazhdimësi, deklaroi Presidenti Rouhani, qeveria do të vendosë nëse do të zgjasë apo jo izolimin. Presidenti njoftoi gjithashtu se lirimi i përkohshëm i të arrestuarve që duhej të mbaronte sot do të vazhdojë deri më 20 maj, megjithatë. Fleksibiliteti do të karakterizojë edhe agjërimin. Udhëheqësi suprem iranian, Ayatollah Khamenei, shpjegoi se agjërimi është i detyrueshëm “përveç nëse jeni i sigurt që shkakton infeksion, intensifikon sëmundjen ose e zgjat atë“.
Edhe në Shqipëri , Komuniteti Mysliman (KMSH) i kërkon myftinive të qyteteve marrjen e masave si dhe anullimin e tubimeve masive si ligjërata si dhe anullimin e faljes së namazit të xhumasë në varësi të rrezikshmërisë.
KMSH gjithashtu kërkon nga komuniteti mysliman në vend zbatimin me rigorozitet të të gjitha sugjerimeve dhe këshillave të nxjerra nga autoritetet përkatëse në vendin tonë si dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Kërkojmë mirëkuptimin e besimtarëve në respektimin e masave të marra, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit është një obligim fetar për të gjithë besimtarët” e mbyll komunikimin e tij zyrtar Komuniteti Mysliman.
Eunews.al