Koronavirusi/ Greqia izolon kampin e emigrantëve
Greqia ka karantifikuar një strukturë të dytë migrantësh në kontinentin e saj pasi një burrë 53 vjeç u testua pozitiv për koronavirusin e ri, raportoi të dielën Ministria e Emigracionit.
Emigranti afgan jeton me familjen e tij në kampin Malakasa së bashku me qindra azilkërkues. Ai është transferuar në një spital në Athinë. Testet në lidhje me kontaktet e tij do të vazhdojnë ndërsa agjensia e shëndetit publik përpiqet të gjurmojë rrugën e marrjes së virusit.
Sipas Reuters, të enjten autoritetet karantinuan një tjetër kamp atë të Ritsona në Greqinë qendrore pasi 20 individë rezultuan pozitivë për koronavirus. Kampi Ritsona është objekti i parë i tillë në Greqi që u prek nga Covid-19 që nga shpërthimi i sëmundjes në shtetin helen.
Greqia ishte porta kryesore për në Bashkimin Evropian për më shumë se një milion njerëz që shpëtuan nga konflikti në 2015-16. Më shumë se 110,000 njerëz aktualisht jetojnë në kampet e emigrantëve në të gjithë vendin – 40,000 prej tyre në kampe të mbipopulluara në pesë ishuj.
“Numri (i emigrantëve dhe refugjatëve) është shumë i madh, prandaj është matematikisht e dhënë se do të ketë raste të konfirmuara,” u shpreh Ministri i Emigracionit Notis Mitarachi për Skai TV. “Ne kemi një plan emergjence në vend … Por është më e vështirë ta zbatojmë atë në ishuj.”
Ndërkohë sipas burimeve zyrtare asnjë rast nuk është regjistruar në kampet e emigrantëve në ishujt Grekë deri në këto momente.
Qeveria konservatore dëshiron të zëvendësojë të gjitha kampe ekzistuese në ishuj me qendra të mbyllura të paraburgimit, por planet e saj janë përballur me rezistencë nga autoritetet lokale dhe banorët që duan mbylljen e kampeve.
Paralajmërime për autoritetet greke kanë ardhur edhe nga Parlamenti Europian, ku disa eurodeputetë pak javë më parë kërkonin mbylljen e kampeve për shkak të mbipopullimit dhe rrezikut të përhapjes së shpejtë të virusit në kushtet e mungesës së standardeve bazike të higjenës.
Ministria paralajmëroi ditën e sotme se Kampi në Malakasa, 40 km në veri-lindje të Athinës, do të vihet në karantinë për dy javë, duke shtuar se policia që ruan vendin do të përforcohej për të siguruar që kufizimet të zbatohen.
Greqia regjistroi rastin e parë të koronavirusit të ri në fund të shkurtit. Që atëherë, ajo ka të konfirmuar 1,673 raste dhe 68 raste të vdekjeve nga COVID-19.
Greqia ka imponuar një bllokim mbarëkombëtar dhe ndaloi ardhjen nga vendet jo të BE-së, apo dhe nga vende Europiane si dhe Gjermania, Britania, Italia dhe Spanja. Masat e ndërmarra kanë goditur ekonominë e saj, e cila mbështetet në turizëm për një rikuperim pas një krize dekade të gjatë borxhesh.Ministri i Financave Christos Staikouras përsëriti ditën e sotme se ekonomia pritej të zvogëlohej me rreth 3-4% këtë vit.
Eunews.al