Koreja e Veriut teston kokë luftarake me bomba thërrmuese

02 Nov 2026 • 10:52
Shpërndaje:

Koreja e Veriut ka testuar një kokë luftarake me bomba thërrmuese për raketat balistike me rreze të shkurtër veprimi, ndërsa synon t’i pajisë njësitë ushtarake me disa variante të kësaj arme deri në fund të vitit 2026.

Sipas Reuters, që iu referua mediave shtetërore të Phenianit, testi u zhvillua të shtunën, më 31 tetor, nga Administrata e Raketave. Qëllimi ishte vlerësimi i fuqisë shkatërruese dhe i aftësisë së përdorimit të kokës luftarake në kushte luftimi.

Agjencia shtetërore KCNA raportoi se varianti standard i kokës luftarake të tipit të dytë mund të shkatërrojë një sipërfaqe prej 12 deri në 13 hektarësh, në kushtet e përqendrimit më të lartë të shpërthimeve. Ky pretendim nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Reklamë Ola

Katër variante për njësitë ushtarake

Një zyrtar i Administratës së Raketave deklaroi se kokat luftarake me bomba thërrmuese ndahen në katër kategori, sipas funksionit dhe objektivave ushtarake.

Reklamë InterMedika

Sipas tij, deri në fund të vitit njësitë do të pajisen me të gjitha variantet, për t’i përdorur në varësi të kërkesave të operacioneve.

Testimi u mbikëqyr nga gjenerali Kim Jong-sik, anëtar i Komisionit Qendror Ushtarak të Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut.

Rreziku nga bombat thërrmuese

Këto armë shpërndajnë dhjetëra ose qindra nënmunicione shpërthyese mbi një sipërfaqe të gjerë, duke goditur disa pika.

Rreziku për civilët mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të luftimeve. Një pjesë e nënmunicioneve nuk shpërthejnë menjëherë dhe mbeten në terren, ku mund të aktivizohen më vonë.

Pheniani shton demonstrimet ushtarake

Testi vjen pas një serie demonstrimesh të kapaciteteve ushtarake të Koresë së Veriut, përfshirë raketa balistike dhe sisteme të reja me dronë.

Më 29 tetor, Pheniani lëshoi rreth 10 raketa balistike drejt detit nga bregdeti lindor, ndërsa kancelari gjerman Friedrich Merz po zhvillonte një vizitë në Korenë e Jugut.

Po atë ditë, udhëheqësi Kim Jong-un mori pjesë në një ekspozitë të teknologjisë së dronëve, ku u prezantuan sisteme të reja pa pilot dhe pajisje ushtarake.

Sipas analistëve, këto zhvillime pasqyrojnë përpjekjet për modernizimin e ushtrisë dhe zgjerimin e kapaciteteve të sulmit konvencional, krahas arsenalit bërthamor. Vëmendje po i kushtohet edhe përvojës luftarake që forcat koreano-veriore mund të kenë fituar duke luftuar përkrah Rusisë në Ukrainë.

Në prill, Koreja e Veriut kishte njoftuar një tjetër provë me koka luftarake me bomba thërrmuese në raketat balistike “Hwasong-11 Ra”, të mbikëqyrur nga Kim Jong-un.