×
Friday, October 11, 2024

Konflikti në lindje të Europës, Pompeo: Krimeja është Ukrainë

February 27, 2020


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Uashingtoni “nuk i njeh dhe nuk do t’i njohë kurrë” pretendimet e Moskës ndaj rajonit ukrainas të Krimesë.

Pompeo tha se “27 shkurti shënon përvjetorin e gjashtë të përpjekjes së Rusisë për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë”, por, shtoi ai, “Shtetet e Bashkuara konfirmojnë: Krimeja është Ukrainë”. “Siç nënvizohet në Deklaratën tonë për Krimenë, të korrikut të vitit 2018, Shtetet e Bashkuara nuk i njohin dhe nuk do t’i njohin kurrë pretendimet e Rusisë mbi sovranitetin e gadishullit. Ne i bëjmë thirrje Rusisë që t’i japë fund pushtimit të Krimesë”, tha Pompeo.

“Edhe gjashtë vjet më vonë, Rusia vazhdon të mbështetet në gënjeshtra dhe dezinformata, në përpjekjet e saj të dështuara për të legjitimuar të paligjshmen. Përpjekjet e saj do të dështojnë”, tha Pompeo. Ai shtoi se bota nuk do ta harrojë kurrë “pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës”, shkruan Rel.

Rusia ka aneksuar Krimenë në mars të vitit 2014, pasi ka dërguar trupa atje dhe ka organizuar një referendum, i cili është konsideruar i paligjshëm nga së paku 100 vende të botës.

Në prill të atij viti, Rusia ka nisur mbështetjen edhe për separatistët e armatosur në rajonet lindore të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk. Nga konflikti i vazhdueshëm midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, mbi 13,000 njerëz janë vrarë.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments