×
E hënë, 18 Janar, 2021

“Komisioni i PD-së më s’kualifikoi se nuk shaja Partinë Socialiste”

2 Dhjetor, 2020

Mjeku i njohur Halim Kosova, ish-deputet i Partisë Demokratike dhe ish-kandidat i PD për bashkinë e Tiranës, është shprehur i keqardhur për skualifikimin e tij nga Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave në PD.

Në një intervistë televizive Kosova ka akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhin dhe ish-presidentin, Bujar Nishani për skualifikimin nga gara.

“Shkova dhe trokita tek dera e PD. I thashë që unë kam mundësinë që t’ju ndihmoj në sektorin e shëndetësisë, në pastërtinë e figurës, kam mundësinë që të dal të bëj vizita falas, ta shoh sektorin shëndetësor, cep më cep. Pavarësisht informacionit që kam nga pacientët, por kur e sheh është komplet ndryshe”, tha Kosova.

“Mirëpo dera ishte e mbyllur, i rashë disa herë dhe nuk u përgjigj njeri. Sa duke ikur dëgjoj zëra dhe i bie më fort, kur nga mbrapa, dëgjoj një zë i cili më thotë: “Ik se do të lëshojmë Rulin dhe Nishanin””, u shpreh Kosova.

Dhe faktikisht, theksoi Kosova, “ky komision mua më ka seleksionuar. Ky komision thotë që kam dy karakteristika të këqija, e para, nuk shaj PS-në, turp i madh në fakt, sikur kam shkuar të shaj njeri unë aty”.

Dhe e dyta, u shpreh Kosova, Nishani e skualifikoi pasi tha se, ”ky është i lodhur”.

Teksa vetë Nishani, tha Kosova, thotë unë do shkoj të jap kontribut në PD se jam gjak i ri.

“Kjo nuk e di si mund të ndodhë”, tha Kosova.

“Megjithatë unë jam tip luftarak, se jetën nuk e kam pasur lisho, çdo gjë në jetë e kam bërë me luftë. Unë po e ndava mendjen, nuk ka njeri që më ndalon, nuk ka njeri që më ndalon për të mirën e PD-së dhe për të mirën e vendit”, u shpreh ai.

Kosova shtoi se njerëzit janë të zhgënjyer dhe ky nuk është vetëm faji i qeverisë, por edhe i opozitës.

“Njerëzit janë të zhgënjyer dhe ky nuk është vetëm faji i qeverisë, por edhe i opozitës që nuk krijon besim. Kanë humbur besimin, kur marrin njerëzit çantat dhe ikin nuk është faji vetëm i qeverisë, duhet të jetë dhe një opozitë që të thojë se për 4 muaj unë do ta ndryshoj vendin, dhe unë do të luftoj për ta thënë këtë”, tha ai.

“Nuk jam për ta shkallmuar PD-në, por me mënyrën time do të jem faktor vendimtar që të krijoj besimin e njerëzve te PD”, u shpreh Kosova.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për