Komisioneri i BE-së Jørgensen paralajmëron rritje të kostove të energjisë nga kriza në Lindjen e Mesme
Komisioneri i Energjisë i Bashkimit Evropian, Dan Jørgensen, ka paralajmëruar një rritje të ndjeshme të kostove të energjisë për vendet anëtare të BE-së, si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe ndikimit të tij në tregjet globale të naftës dhe gazit.
Duke folur për gazetarët në Bruksel, Jørgensen tha se që nga shpërthimi i tensioneve në rajon, shtetet e BE-së kanë shpenzuar mbi 30 miliardë euro shtesë për importet e lëndëve djegëse fosile, pa siguruar furnizime më të mëdha apo stabilitet më të mirë energjetik.
Sipas tij, situata aktuale po e vendos Evropën përballë një sfide të paprecedentë. “Bota po përballet me atë që mund të jetë kriza më e rëndë energjetike ndonjëherë, një krizë që po vë në provë qëndrueshmërinë e ekonomive tona, të shoqërive tona dhe të partneriteteve tona,” deklaroi ai.
Rritja e tensioneve në rajon lidhet kryesisht me pasojat e konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në një nga rrugët më strategjike të furnizimit global me energji, Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë.
Sipas raportimeve, Irani ka kufizuar ndjeshëm lundrimin në këtë korridor strategjik përmes kërcënimeve dhe sulmeve, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë vendosur masa bllokade ndaj anijeve që lidhen me portet iraniane. Paralelisht, disa infrastrukturë energjetike në rajonin e Gjirit është dëmtuar nga sulme të përsëritura gjatë muajve të fundit.
Komisioneri evropian paralajmëroi gjithashtu se pasojat mund të jenë afatgjata, veçanërisht në sektorin e gazit. Sipas tij, rikuperimi i plotë i prodhimit mund të zgjasë vite, ndërsa nafta pritet të stabilizohet më shpejt.
“Ne nuk jemi ende në atë pikë, por rreziku ekziston, sidomos për furnizimin me karburant të aviacionit,” tha Jørgensen, duke shtuar se BE po përgatit masa për të përballuar çdo ndërprerje të mundshme.
Komisioni Evropian pritet të publikojë gjatë ditëve në vijim udhëzime të reja për linjat ajrore dhe sektorin e transportit, në kuadër të planit të emergjencës energjetike.







