×
Tuesday, May 5, 2026

Merz i bën thirrje Iranit të rikthehet në negociata pas sulmeve në Emiratet e Bashkuara Arabe

May 5, 2026


Kancelari gjerman Friedrich Merz i ka kërkuar udhëheqjes së Iranit të rikthehet në tryezën e bisedimeve, pas sulmeve me raketa dhe dronë ndaj Emiratet e Bashkuara Arabe, që ndodhën në një kontekst tensionesh të reja në rajon.

Në një deklaratë në platformën X, Merz tha se Irani duhet të ndalojë përshkallëzimin dhe “të mos mbajë peng rajonin dhe botën”, duke kërkuar gjithashtu fundin e çdo kërcënimi për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.

“Teherani nuk duhet të pajiset me armë bërthamore dhe nuk duhet të ketë sulme të mëtejshme ndaj partnerëve tanë”, theksoi kancelari gjerman.

Sulmet ndaj qytetit portual Fujairah janë raportuar si të parat që nga armëpushimi i fundit mes palëve dhe janë konsideruar një përshkallëzim serioz i situatës.

Nga ana e tij, Irani i ka cilësuar sulmet si përgjigje ndaj “aventurizmit ushtarak” amerikan në rajon, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe raportuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar një numër raketash dhe dronësh.

Bisedimet e ndërmjetësuara përmes Pakistanit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit deri më tani nuk kanë prodhuar rezultate konkrete, ndërsa armëpushimi i arritur më herët mbetet i brishtë.




Comments are closed.