Vendimet për praninë e trupave të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë bazohen në vlerësimet e NATO-s për situatën e sigurisë, deklaroi komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admirali George Wikoff.
Sipas tij, çështja nëse ura duhet të hapet ose jo për qarkullimin e automjeteve nuk është vendim i KFOR-it, por u takon Bashkimit Evropian dhe autoriteteve përkatëse të Kosovës.
KFOR-i ka bërë të ditur se po zhvillon një proces për kufizimin gradual të pranisë së trupave mbi urë dhe kalimin e përgjegjësive te Policia e Kosovës.
Aktualisht ura është e hapur për këmbësorët, por jo për qarkullimin e automjeteve. Vendimi për reduktimin e pranisë së KFOR-it dhe transferimin e përgjegjësive është kundërshtuar nga Serbia.


