×
Thursday, May 21, 2026

Kandidati për ambasador në Shqipëri: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit, prioritet kyç

May 20, 2026


Kandidati për ambasador i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, mbajti fjalën e tij para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan, ku paraqiti prioritetet dhe vizionin e tij për marrëdhëniet SHBA–Shqipëri nëse konfirmohet në këtë detyrë.

Në fjalën e tij, Wendt shprehu mirënjohjen për nominimin, duke falënderuar Presidentin Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio për besimin e dhënë. Ai theksoi përvojën e tij mbi 34-vjeçare në shërbim të Shteteve të Bashkuara, përfshirë rolin si ushtarak në detyrë aktive dhe më pas në Departamentin e Shtetit, ku ka shërbyer si Koordinator i Sigurisë për SHBA në Izrael dhe Autoritetin Palestinez.

Wendt ndau edhe detaje nga jeta e tij personale dhe familjare, duke theksuar përkushtimin e familjes së tij ndaj shërbimit publik dhe ushtrisë amerikane. Ai përmendi gjithashtu lidhjen e tij me Shqipërinë përmes bashkëpunimit me Forcat Speciale shqiptare gjatë shërbimit në NATO dhe në Afganistan, duke vlerësuar profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, si dhe karakterin e popullit shqiptar.

Nëse konfirmohet si ambasador, Wendt deklaroi se prioriteti i tij kryesor do të jetë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së, ndërsa theksoi se partneriteti me Shqipërinë mbetet i fortë dhe i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta.

Ai prezantoi katër fusha kryesore ku do të fokusohet puna e tij. E para lidhet me sigurinë, ku ai nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës, duke theksuar se këto sfida prekin edhe vetë Shtetet e Bashkuara.

Fusha e dytë ka të bëjë me mbrojtjen dhe bashkëpunimin ushtarak. Wendt vlerësoi transformimin e Shqipërisë nga një vend i izoluar në një aleat të rëndësishëm të NATO-s dhe partner strategjik i SHBA-së, duke shtuar se do të punojë për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimin në sigurinë kibernetike. Ai përmendi gjithashtu objektivin për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, në përputhje me angazhimet e NATO-s.

Në aspektin ekonomik, Wendt theksoi rëndësinë e diplomacisë ekonomike dhe tregtare, duke synuar rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorë si inteligjenca artificiale, energjia, infrastruktura dhe minierat. Ai theksoi se investitorët amerikanë duhet të trajtohen me transparencë dhe kushte të barabarta ligjore.

Fusha e katërt lidhet me forcimin e brendshëm të ambasadës, përmes kujdesit ndaj stafit dhe zhvillimit të kapaciteteve njerëzore, duke e cilësuar këtë si një element kyç për funksionimin efektiv të misionit diplomatik.

Në përfundim të fjalës së tij, Wendt u shpreh i nderuar për nominimin dhe theksoi gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet amerikane dhe partnerët shqiptarë për të çuar përpara objektivat e përbashkëta strategjike.




Comments are closed.