×
Thursday, May 21, 2026

Presidenti Begaj në Sllovaki: Shqipëria synon mbylljen e negociatave të BE në 2027 dhe anëtarësim në 2030

May 20, 2026


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë zyrtare në Sllovaki me ftesë të homologut të tij, Presidentit Peter Pellegrini, ku në qendër të diskutimeve ishin avancimi i marrëdhënieve dypalëshe, procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe zhvillimet e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Gjatë takimit tête-à-tête mes dy presidentëve dhe më pas në bisedimet mes delegacioneve zyrtare, u trajtuan gjerësisht çështje që lidhen me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, sfidat e sigurisë si vende aleate në NATO, si dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe institucional ndërmjet Tiranës dhe Bratislavës.

Në konferencën e përbashkët për media, Presidenti Begaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Sllovakisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar këtë vend si një partner dhe aleat të rëndësishëm në procesin e integrimit europian.

Kreu i Shtetit deklaroi se Shqipëria ka arritur të hapë të gjithë grupkapitujt e negociatave brenda një viti, një ritëm që ai e cilësoi si rekord në procesin e integrimit, ndërsa theksoi se objektivi strategjik i vendit mbetet mbyllja e tyre deri në vitin 2027 dhe anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian në vitin 2030. “Shqipëria ka hapur për një vit të gjithë grupkapitujt, një kohë rekord, dhe synon mbylljen e tyre në vitin 2027 dhe për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian si anëtare në vitin 2030”, u shpreh Presidenti Begaj, duke falënderuar Presidentin, qeverinë dhe shtetin sllovak për mbështetjen e dhënë ndaj Shqipërisë në këtë proces.

Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Sllovakisë si një nga mbështetëset më aktive të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së, duke theksuar se ky vend ka ofruar jo vetëm mbështetje politike, por edhe ekspertizë dhe asistencë konkrete në procesin e reformave institucionale dhe përafrimit me standardet europiane.

Në fokus të diskutimeve mes dy palëve ishte edhe forcimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë energjinë, turizmin, bujqësinë, shëndetësinë, energjinë e rinovueshme dhe tranzicionin e gjelbër. Të dy presidentët theksuan nevojën për institucionalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe përmes marrëveshjeve ekzistuese dhe krijimit të instrumenteve të reja të partneritetit strategjik.

Në këtë kuadër, u vlerësua si një zhvillim pozitiv edhe hapja e linjave direkte ajrore Tiranë–Bratislavë, e cila pritet të rrisë lëvizjen e qytetarëve dhe të forcojë më tej lidhjet ekonomike, turistike dhe kulturore mes dy vendeve.

Sa i përket zhvillimeve rajonale, Presidenti Begaj nënvizoi se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor mbetet thelbësor për sigurinë e Europës dhe se procesi i integrimit europian të rajonit duhet të mbetet një prioritet strategjik i Bashkimit Europian.

Ai gjithashtu falënderoi Sllovakinë për pjesëmarrjen e saj me trupa në misionin e KFOR-it në Kosovë, duke shprehur njëkohësisht besimin për një rivlerësim të qëndrimit të Bratislavës ndaj Kosovës, ose të paktën për mosbllokimin e rrugës së saj drejt organizatave ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në Bratislavë, Presidenti Begaj zhvilloi gjithashtu takime me Kryeministrin Robert Fico dhe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Republikës Sllovake, Richard Raši, nga të cilët mori mbështetje për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në kuadër të vizitës, Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi edhe një homazh në memorialin “Porta e Lirisë”, kushtuar viktimave të komunizmit dhe personave që humbën jetën duke tentuar të kalonin “Perden e Hekurt” të ish-Çekosllovakisë, duke nderuar kujtimin e tyre.




Comments are closed.