Kallas takohet me ministrin e Jashtëm iranian: Hormuzi duhet të jetë i hapur dhe pa tarifa

23 Sep 2026 13:19
Shpërndaje:

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, është takuar me ministrin e Jashtëm iranian Abbas Araghchi në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ndërsa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë.

Në qendër të bisedimeve ishin mundësitë për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, rikthimi i plotë i lundrimit në Ngushticën e Hormuzit dhe situata e brendshme në Iran.

Pas takimit, Kallas përsëriti qëndrimin e Bashkimit Evropian se lundrimi në një prej rrugëve më të rëndësishme tregtare dhe energjetike në botë duhet të jetë i lirë dhe pa pengesa.

Reklamë Ola

Sipas saj, anijet nuk duhet të detyrohen të paguajnë tarifa për të kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit. BE-ja ka argumentuar se e drejta e kalimit në këtë rrugë ndërkombëtare detare nuk mund të kushtëzohet nga leje apo pagesa të vendosura në mënyrë të njëanshme.

Kallas ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe për Ngushticën Bab al-Mandab në Detin e Kuq, ku aktiviteti i Huthëve ka shtuar shqetësimet për sigurinë e transportit detar. BE-ja kërkon që liria e lundrimit të respektohet në të dyja rrugët strategjike.

Reklamë InterMedika

Gjatë takimit me Araghchi, Kallas ngriti gjithashtu shqetësimet e BE-së për situatën e të drejtave të njeriut në Iran. Ajo është shprehur më herët se numri në rritje i ekzekutimeve në vend është alarmues, ndërsa Bashkimi Evropian ka vendosur masa të reja kufizuese ndaj Teheranit për çështje të lidhura me represionin e brendshëm.

Takimi Kallas-Araghchi zhvillohet në një moment kur Uashingtoni dhe Teherani po zhvillojnë kontakte indirekte në Nju Jork. Ngushtica e Hormuzit dhe bllokada detare amerikane janë ndër çështjet kryesore në negociatat për një marrëveshje që mund t’i japë fund konfliktit.

Tensionet kanë ndikuar ndjeshëm edhe në trafikun detar. Në fundjavën e fundit, vetëm 17 anije mallrash kaluan nëpër Hormuz, krahasuar me një mesatare prej rreth 125 anijesh në ditë përpara luftës, sipas të dhënave të raportuara nga Reuters.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se përpjekjet e tij diplomatike në Nju Jork do të vazhdojnë të mbështeten në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, ndërsa Kallas ka përsëritur se liria e lundrimit në Hormuz është një parim që BE-ja e konsideron të panegociueshëm.