Kallas: Sulmi me dron në Leipzig ka shenjat e terrorizmit shtetëror

02 Sep 2026 14:58
Shpërndaje:

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, deklaroi të mërkurën se sulmi i parandaluar me dron në aeroportin Leipzig-Halle në Gjermani kishte “të gjitha shenjat e terrorizmit të sponsorizuar nga shteti”, pasi Berlini akuzoi zyrtarisht Rusinë për incidentin.

Duke folur përpara takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Wicklow të Irlandës, Kallas tha se atribuimi i sulmit ndaj Moskës nga autoritetet gjermane përbën një “sinjal shumë të fortë”, ndërsa vlerësoi qëndrimin e përbashkët të vendeve europiane në mbështetje të Gjermanisë.

“Ne e kemi thirrur tashmë ambasadorin rus, ashtu si edhe shumë shtete anëtare. Do të diskutojmë se çfarë më shumë mund të bëjmë”, deklaroi Kallas.

Reklamë Ola

Qëndrim të ashpër mbajti edhe ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, i cili e cilësoi incidentin si pjesë të një përpjekjeje të vazhdueshme të Kremlinit për të destabilizuar Bashkimin Europian dhe proceset e tij demokratike, si dhe për të dobësuar mbështetjen për Ukrainën.

“Nuk do të lejojmë që një akt i një rëndësie të tillë të mbetet pa pasoja”, deklaroi Barrot. Ai shtoi se Franca do të mbështesë propozimet e Gjermanisë për sanksione dhe do të kërkojë masa edhe ndaj anijeve të tjera ruse.

Reklamë InterMedika

Ministrja e Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, tha se Europa tashmë ka kaluar përtej fazës kur këto incidente përshkruheshin thjesht si “kërcënime hibride”.

Sipas saj, bëhet fjalë për aktivitete serioze dhe për një përpjekje “shumë, shumë të qartë” të Moskës për të përçarë qeveritë e vendeve të BE-së dhe për të krijuar frikë mes qytetarëve.

Gjermania fajësoi zyrtarisht të martën Rusinë për incidentin e 4 gushtit, kur tre dronë të pajisur me eksplozivë u zbuluan pranë aeroportit Leipzig-Halle. Berlini njoftoi masa diplomatike kundër Moskës dhe synimin për të kërkuar sanksione të reja në nivel të Bashkimit Europian. Rusia ka mohuar çdo përfshirje.

Kallas bëri të ditur gjithashtu se rreth 1,600 masa të tjera që synojnë kompleksin ushtarako-industrial rus janë tashmë në përgatitje.

Në takimin e së mërkurës nuk pritet të merret një vendim përfundimtar për masat e reja, por Kallas theksoi se Gjermania gëzon mbështetjen politike të partnerëve të saj europianë.

“Kjo është përgjigjja e bashkuar që na nevojitet”, deklaroi shefja e diplomacisë së BE-së.