Italia po përballet me një sfidë të madhe post COVID-19


Italia po përballet me një sfidë të madhe për të rimëkëmbur ekonominë e saj, e prekur fuqimisht nga pandemia e COVID-19, tha sot guvernatori i Bankës Qendrore Italiane (BQI), Ignazio Visco.
Ekonomia e tretë më e madhe në zonën e euros ka hartuar një plan investimi prej 222,1 miliardë eurosh, nga të cilat 191,5 miliardë vijnë nga fondet europiane gjatë periudhës 2021-2026 dhe qeveria është zotuar të vendosë në funksion reforma për ta përdorur sa më mirë këtë fond.
“Kjo ndihmë europiane duhet të jetë pjesë e një përpjekjeje kolektive për të kapërcyer dobësinë strukturore të Italisë dhe faktorët specifikë të rritjes ekonomike anemike gjatë dy dekadave të fundit”, paralajmëroi Visco.
“Mundësitë që Italia të jetë në gjendje t’u ofrojë brezave të ardhshëm varen nga suksesi i reformave dhe masave të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë. Kjo është një sfidë e madhe!”, shtoi ai.
Pandemia i shkaktoi një goditje të rëndë ekonomisë italiane vitin e kaluar, me PBB-në që u ul me 8,9%, recesioni i saj më i keq që nga Lufta e Dytë Botërore.
Eunews.al
