Federata Italiane e Futbollit ka vendosur të tërheqë mbështetjen për Gianni Infantinon në zgjedhjet për presidentin e FIFA-s, që do të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.
Vendimi e vendos Italinë përkrah UEFA-s dhe presidentit të saj, Aleksander Ceferin, në një moment kur përplasjet me drejtuesin aktual të FIFA-s janë intensifikuar për shkak të nismave të fundit lidhur me qeverisjen e futbollit dhe zhvillimin e kompeticioneve ndërkombëtare.
Në komunikatën zyrtare, Federata Italiane e Futbollit (FIGC) thekson se vendimi synon të bëjë të qartë dhe transparent pozicionin e saj në mbështetje të UEFA-s.
Presidenti i FIGC-së, Giovanni Malago, deklaroi se Italia do të vazhdojë të bashkëpunojë me UEFA-n dhe federatat e tjera evropiane për mbrojtjen e modelit aktual të futbollit.
“Do të vazhdojmë të punojmë përkrah UEFA-s dhe federatave të tjera evropiane për të promovuar modelin e futbollit të bazuar mbi meritën, solidaritetin dhe qëndrueshmërinë, me tifozët në qendër të tij”, deklaroi Malago.
Ai nënvizoi se federata italiane mbështet një model të bazuar te dialogu, dëgjimi dhe bashkëpërgjegjësia, i cili, sipas tij, ka mundësuar zhvillimin dhe inovacionin e futbollit duke ruajtur njëkohësisht parimet e tij themelore.
Vendimi i Italisë shton presionin mbi Infantinon përpara zgjedhjeve të FIFA-s, ndërsa UEFA po kërkon një ndryshim të mënyrës së drejtimit të institucionit më të lartë të futbollit botëror. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka deklaruar më herët se pret që Infantino ose të largohet, ose të përballet me një kandidat rival në zgjedhjet e marsit.


