×
Tuesday, July 21, 2026

Ironia e finales: Trump ia dorëzon Kupën e Botës Spanjës pas muajsh përplasje me Madridin

July 20, 2026


Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës 2026 u shoqërua edhe me një moment me simbolikë të fortë politike. Presidenti amerikan Donald Trump, i cili gjatë muajve të fundit kishte sulmuar vazhdimisht qeverinë spanjolle, ishte ai që i dorëzoi trofeun kapitenit Rodri pas finales së fituar ndaj Argjentinës.

Vetëm pak javë më parë, Trump kishte kritikuar ashpër Spanjën për shpenzimet e ulëta ushtarake dhe për refuzimin e Madridit për të lejuar përdorimin e bazave ushtarake amerikane në territorin spanjoll për operacionet kundër Iranit.

Presidenti amerikan e kishte cilësuar Spanjën si “të pashpresë”, kishte përshkruar spanjollët si “njerëz të këqij” dhe madje kishte kërcënuar përkohësisht me ndërprerjen e tregtisë së mallrave me Madridin. Në mars, ai e kishte quajtur vendin edhe “humbës”.

Megjithatë, në ceremoninë e finales në stadiumin e New Jersey-t, Trump iu dorëzoi trofeun e Kupës së Botës kampionëve të rinj, përpara kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez, Mbretit Felipe VI dhe një audience televizive globale me mbi një miliard shikues.

Para nisjes së finales, Trump kishte deklaruar se “është e vështirë të vësh bast kundër Messit”, duke favorizuar Argjentinën.

Gjatë ndeshjes ai u ul në të njëjtin sektor me Mbretin Felipe VI, Mbretëreshën Letizia dhe kryeministrin Pedro Sánchez, ndërsa në një moment u ngrit për t’u shtrënguar duart të treve.

Pas përfundimit të takimit, Trump zbriti në fushë së bashku me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për t’i dorëzuar Spanjës trofeun e dytë botëror në historinë e saj.

Megjithatë, drejtuesit e futbollit spanjoll kishin minimizuar çdo ndikim të tensioneve politike te kombëtarja.

“Nuk kemi pasur asnjë problem me të dhe as skuadra nuk ka pasur probleme. Politika është jashtë ekipit, lojtarët mendojnë vetëm për futbollin”, deklaruan dy zyrtarë të federatës spanjolle për POLITICO, duke folur në kushte anonimiteti.

Ndryshe u shpreh sulmuesi Borja Iglesias, i cili nuk luajti në finale.

I pyetur nëse do t’i shtrëngonte dorën Trumpit në rast fitoreje, ai tha:

“Shpresoj ta përshëndes kur të jemi të gjithë shumë të lumtur, të zgjasë shumë pak dhe ta harroj menjëherë. Nuk është momenti për të hapur polemika. Njerëzit e dinë shumë mirë se çfarë mendoj, por nuk kam aq pushtet.”

Në fund, takimi mes tyre zgjati vetëm pak sekonda.

Marrëdhëniet mes Trump dhe kryeministrit Pedro Sánchez mbeten ndër më të tensionuarat mes SHBA-së dhe një aleati evropian.

Dy liderët përplasen për çështje të shumta, nga emigracioni dhe energjia e rinovueshme deri te shpenzimet për mbrojtjen në NATO.

Përplasja më e fortë lidhet me Lindjen e Mesme. Qeveria e Sánchez refuzoi që avionët amerikanë të përdornin bazat ushtarake në territorin spanjoll për sulmet ndaj Iranit, vendim që shkaktoi reagime të ashpra nga Shtëpia e Bardhë.

Megjithatë, në një artikull të botuar ditën e finales në gazetën El País, Sánchez shmangu polemikat me SHBA-në dhe zgjodhi të përqendrohej te vlerat që, sipas tij, përfaqëson kombëtarja spanjolle.

“Është skuadra që frymëzon pasion, me stilin e saj të rrjedhshëm dhe guximtar të lojës, por edhe me vlerat që përfaqësojnë vendin tonë”, shkroi ai.

“Një Spanjë që sillet me përulësi dhe respekt ndaj kundërshtarëve dhe që mbështetet te talenti kolektiv për të fituar dhe për t’i treguar botës vendin e dashur dhe të respektuar që është”, përfundoi kryeministri spanjoll.




Comments are closed.