Integrimi në BE/ Balla: Plotësisht të përkushtuar ndaj reformave



Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian zhvilloi sot takimin e radhës online me temë: “Zbatimi i Planit të Veprimit për hapjen e negociatave të miratuar në Kuvend me rezolutën e dt. 24.09.2020 mbi “Hapjen e Negociatave të Anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe Miratimin e Planit të Masave për Përmbushjen e Përparësive të Përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian”.
Nënkryetari i KKIE, Taulant Balla vlerësoi institucionet e përfshira në planin e masave për punën e tyre në përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i BE.
Balla tha se, “është dukshëm një punë e rëndësishme e plotësuar në çdo përparësi të lënë nga Këshilli pavarësisht shtyrjes së mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare, e cila për fat keq ndodhi për arsye që shkojnë përtej nesh”
Megjithatë, shtoi Balla, “pavarësisht shtyrjes, që po i bëhet në vazhdimësi mbajtjes së Konferencës së Parë, ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj reformave, jo sepse BE i po na kërkon ato, por sepse ua kemi borxh qytetarëve tanë, të cilët në mënyrë unanime, më shumë se 95% mbështesin proceset integruese të vendit”.
Balla tha se, “pjesa dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë të bindur që reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit janë të duhura, për të mirën e vendit tonë pikë së pari”.
Për këtë qëllim , nënvizoi Balla, “nuk ka dhe nuk do të ketë tërheqje pas në rrugën e reformave, kur reforma në drejtësi do të vijojë të mbetet një prioritet i mazhorancës tonë”.
Balla tha se, “edhe reforma zgjedhore nuk duhet të qëndrojë jashtë vëmendjes në këtë raportim. Amendamentet e miratuara në Kodin Zgjedhor, të cilat erdhën për pasojë e marrëveshjes së 5 qershorit ishin një hap tjetër i rëndësishëm. Dhe dua të nënvizoj faktin, që mazhoranca këtu në Kuvendin e Shqipërisë i qëndroi strikt marrëveshjes së 5 qershorit si pjesë e seriozitetit tonë në marrëdhënie edhe me opozitën jashtë parlamentare dhe besoj që tashmë i gjithë kuadri ligjor për garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike dhe të gjithë pranuara është i plotë.
Balla tha se, “shpresoj që të gjithë partitë politike që do të regjistrohen dhe do të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit, jo vetëm të respektojnë standardet në këto zgjedhje, por padyshim, ajo që është më e rëndësishme për zgjedhjet në Shqipëri është që të gjitha forcat politike të pranojnë rezultatin përfundimtar në zgjedhje. Edhe pse edhe në vitin 2017 rezultati përfundimtar i zgjedhjeve u gjithëpranuar kur u shpall si i tillë nga KQZ, por pastaj kujtojmë që një pjesë e forcave politike u kujtuan për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve”.
Eunews.al

