Drejtuesit gjermanë të biznesit në Rusi kanë “shpresa të mëdha” për takimin që do të zhvillojë kancelari Olaf Scholz me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë rreth tensioneve në Ukrainë.
“Konflikti që rrethon Ukrainën duhet të zgjidhet patjetër në mënyrë paqësore dhe me mjete diplomacie”, deklaroi sot Rainer Seele, presidenti i Dhomës Ruse Gjermane të Tregtisë Jashtë vendit (AHK).
Scholz do të takojë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Kiev të hënën dhe Putin në Moskë të martën. Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Rusisë janë më të tensionuara sesa kanë qenë për dekada për shkak të konflikteve.
Seele paralajmëroi për ngrirjen e projekteve të përbashkëta ekonomike, duke thënë se kjo do të krijonte “më shumë konfrontim”.
“Edhe në kohët më të errëta të Luftës së Ftohtë, ekonomia gjermane ishte gjithmonë një urë lidhëse midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik”, tha ai.
Pavarësisht sanksioneve të BE-së për konfliktin në Ukrainë dhe kufizimet e lidhura me pandeminë, kompanitë gjermane kishin investuar rreth 7.6 miliardë euro (8.6 miliardë dollarë) në Rusi në pesë vitet e fundit, njoftoi AHK.


