Ekonomia shqiptare u rrit me 4.23 % në periudhën 9-mujore.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se pritshmëritë janë që ekonomia përgjatë të gjithë vitit të shënojë rritje me 3.7 %.
Në konferencën për shtyp mbi zhvillimet e ekonomisë përgjatë këtij viti, Ibrahimaj theksoi se edhe konsumi i popullatës dhe kredia konsumatore shënuan rritje që tregojnë për besim në ekonomi.
“Në tërësi gjatë këtij viti, pavarësisht krizës ekonomike globale, ekonomia ka shënuar ecuri pozitive. Shifrat më të fundit të INSTAT-it tregojnë se ekonomia u rrit me 4.02 % një tremujorin e tretë ndërsa për periudhën 9-mujore llogaritet 4.23%. Ne i qëndrojmë parashikimeve tona për një rritje të ekonomisë me 3.7 % përgjatë gjithë vitit”, tha Ibrahimaj.
Sa i përket krahasueshmërisë me vendet e rajonit rritja ekonomike në Shqipëri ishte më e larta. Në Kosovë , rritja ekonomike ishte 2.7 %, Maqedonia e Veriut me 2 %, Mali i Zi me 2.8 % dhe Serbia me 1 %.
Duke iu referuar sektorëve, ministrja tha se rritja ka qen e shpërndarë në të gjithë sektorët.
“Me rritje ka rezultuar sektori i bujqësisë, ndërtimi shënoi rritje me 10.66 % duke dhënë një kontribut në rritje prej 0.99%. Tregtia e transportit dhe akomodimi ushqimor ka rezultuar me rritje dhe me kontribut 1.94 % në rritje. Kjo ecuri është ndikuar nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor me një rritje prej 25 %. Edhe tregtia me shumicë ka pasur ecuri pozitive”, u shpreh Ibrahimaj.
Sipas ministres, sektori i industrisë ka shënuar rënie, ndikuar nga industria nxjerrëse.
“Ndërkohë industria përpunuese, pra manifaktura e lidhur kryesisht me kërkesën e huaj, ku përfshihen fasonët apo prodhimet e drurit kanë rezultuar me rritje. Edhe energjia elektrike ka rezultuar me rritje, duke dhënë ndikim pozitiv në rritjen ekonomike”, bëri të ditur Ibrahimaj.
Ministrja vuri në dukje se konsumi i popullatës shënoi rritje me 8.09 %, ndërsa investimet rezultuan me rritje me 7.12 % I ndikuar nga ndërtimet.
Edhe eksportet dhe importet e mallrave dhe shërbimeve, theksoi Ibrahimaj, rezultuan me rritje.
“Ecuria ekonomike është ndikuar më së shumti nga qarkullimi i të gjithë sektorëve që për 11-mujorin rezultoi me një rritje prej 21%. Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët. 50 % e qarkullimit përbëhet nga sektori i shërbimit, që gjatë këtij viti pati një rritje prej 11 %, ndërkohë që edhe ai i prodhimit shënoi rritje me 25 %, në ndërtim 17 %, transport me 28 % dhe në sektorin e tregtisë me 24 %”, deklaroi ministrja.
Ministrja theksoi po ashtu se ecuria ekonomike sa i përket financimit është mbështetur edhe nga ecuria e kredisë që për sektorin provat ka vijuar të mbete në norma dyshifrore rreth 12 %.
Ndërsa kredia konsumatore u rrit me 9.6 %, nivel ky ndjeshëm më i lartë krahasuar me vitin 2021.
“Ky nivel tregon për prirjen e konsumatorëve për konsum dhe besimin në ekonomi”, theksoi ajo.


