Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka paralajmëruar se afrimi i Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian shoqërohet edhe me një rritje të përpjekjeve për dezinformim dhe ndërhyrje të huaja.
Hoxha mori pjesë këtë të mërkurë në konferencën ndërkombëtare “Ballkani takohet në Trieste”, të organizuar nga agjencia italiane e lajmeve ANSA dhe Aleanca e Agjencive Ballkanike të Lajmeve, në bashkëpunim me Rajonin Friuli Venezia Giulia dhe Nismën e Europës Qendrore.
Gjatë panelit “Zgjerimi, Komunikimi Strategjik dhe Kundërvënia ndaj Dezinformimit”, ministri u ndal te rëndësia strategjike e zgjerimit të BE-së, por edhe te sfidat që krijon mjedisi aktual gjeopolitik.
Sipas Hoxhës, zgjerimi nuk duhet parë vetëm si një projekt politik transformues, por si një investim në sigurinë, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe të vetë Europës.
“Është një përpjekje e vërtetë fitimprurëse, që sjell përfitime për të dyja palët. Shqipëria mbetet e palëkundur në angazhimin e saj ndaj rrugës së saj europiane dhe ndaj një rajoni të ankoruar fort brenda familjes europiane”, deklaroi Hoxha.
Ministri theksoi se, në kushtet e një mjedisi gjeopolitik gjithnjë e më kompleks, komunikimi strategjik është shndërruar në një pjesë të rëndësishme të politikës së jashtme.
“Dezinformimi, ndërhyrja e huaj dhe manipulimi i informacionit synojnë të shfrytëzojnë ndasitë, të gërryejnë besimin në institucionet demokratike dhe të dobësojnë besimin e publikut në demokraci dhe projektin europian”, tha ai.
Hoxha paralajmëroi se rreziku bëhet edhe më i madh me avancimin e procesit të integrimit.
“Sa më shumë i afrohemi anëtarësimit në BE, aq më shumë bëhemi shënjestër për ata që nuk ndajnë vizionin, vlerat apo ambiciet tona”, deklaroi ministri.
Në këtë kontekst, ai vlerësoi rolin e medias dhe të gazetarisë profesionale në luftën kundër manipulimit të informacionit. Sipas tij, gazetarët dhe agjencitë që mbledhin, verifikojnë dhe shpërndajnë informacion të besueshëm janë ndër linjat e para të mbrojtjes kundër dezinformimit.
“Faktet, gazetaria profesionale dhe komunikimi transparent mbeten mjete të domosdoshme për forcimin e qëndrueshmërisë demokratike dhe mbrojtjen e debatit publik”, u shpreh Hoxha.
Për Shqipërinë, shtoi ai, komunikimi i qartë me qytetarët për procesin e integrimit europian përbën një përparësi strategjike. Kjo, sipas ministrit, nënkupton jo vetëm shpjegimin e reformave dhe rezultateve të arritura, por edhe të mundësive, përgjegjësive dhe përfitimeve afatgjata që sjell anëtarësimi në Bashkimin Europian.
“Ndërtimi i besimit publik në këtë udhëtim është po aq i rëndësishëm sa edhe avancimi i vetë udhëtimit”, tha Hoxha.
Ai e mbylli fjalën duke theksuar se institucionet, media dhe aktorët e tjerë publikë kanë një përgjegjësi të përbashkët për të mbrojtur të vërtetën dhe faktet dhe për t’iu kundërvënë përpjekjeve që synojnë të manipulojnë apo ndajnë shoqërinë dhe të ndikojnë në zgjedhjet demokratike dhe të ardhmen europiane të vendit.


