Hapja e listave/KE: I njohim ndryshimet kushtetuese, detajet të diskutohen në Këshillin Politik
Ndërsa pranojmë miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq që nuk iu la më shumë kohë fazës përgatitore për të gjetur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero në një deklaratë në Twitter.
”Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të miratuar nga Parlamenti më 23 korrik për zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR, kanë përmbushur kushtin e vendosur nga Këshilli Europian, kur vendosi të hapë negociatat e pranimit, në mars”, shtoi ajo.
”Tani mbetet thelbësore që ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të zbatuar ndryshimet kushtetuese, në veçanti listat e hapura dhe rolin e koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohen”, theksoi Pisonero.
Eunews.al