Hamza kundër kandidaturës së Bekim Sejdiut për President: PDK nuk e voton, fillimet nuk janë të mira

01 Sep 2026 15:45
Shpërndaje:

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka konfirmuar se PDK nuk do ta mbështesë Bekim Sejdiun për President të Kosovës, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e tij.

Sipas Hamzës, nëse Sejdiu arrin të zgjidhet në krye të shtetit, ai duhet të ushtrojë rolin e një presidenti unifikues. Megjithatë, kreu i PDK-së vlerësoi se mënyra se si ka nisur procesi nuk jep sinjale pozitive.

“Nuk ka ndryshim të qëndrimit. Qëndrimi i PDK-së është i qartë. Nuk jemi pjesë e marrëveshjes dhe nuk e votojmë zotërinë Sejdiu për president”, deklaroi Hamza.

Reklamë Ola

Ai bëri të ditur se deri tani nuk ka pasur asnjë komunikim apo takim mes Bekim Sejdiut dhe përfaqësuesve të PDK-së për të diskutuar kandidaturën apo për të kërkuar mbështetjen e kësaj force politike.

“Asnjë komunikim. Asnjë diskutim nuk ka. Ai, nëse zgjidhet, duhet të luajë rolin e presidentit unifikues. Fillimet nuk janë të mira”, u shpreh kreu i PDK-së.

Reklamë InterMedika

I pyetur nëse do të pranonte një takim me Sejdiun, ku kandidati i propozuar nga LVV dhe LDK mund të ofronte garanci se do të ushtronte një rol bashkues dhe mbi palët politike, Hamza tha se tashmë është tepër vonë.

Qëndrimi i PDK-së vjen një ditë pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës arritën marrëveshjen për Bekim Sejdiun si kandidat konsensual për President të Kosovës.

Megjithatë, kandidatura e tij nuk ka siguruar mbështetje unanime as brenda LDK-së. Disa figura të kësaj partie, përfshirë ish-kryeministrin Avdullah Hoti, janë shprehur kundër propozimit.

Marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së synon të zhbllokojë procesin për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, por qëndrimi i PDK-së tregon se sigurimi i mbështetjes së nevojshme parlamentare për Sejdiun mbetet një sfidë.