Gjykata e OKB-së në Hagë ka mbështetur dënimin me burgim të përjetshëm të vitit 2017 për gjeneralin serb, Ratko Mladiç, për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnjë e Hercegovinë.
Në shkallë të parë, i pandehuri 78-vjeçar u dënua me burgim të përjetshëm.
Mladiç u bë i njohur si “Kasapi i Ballkanit” gjatë luftës në Bosnje 1992-95.
Në vitin 2017 ai u dënua me burgim të përjetshëm për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, përfshirë rrethimin e Sarajevës që zgjati për vite dhe me mbi 10 000 të vdekur, për persekutimin dhe dëbimin e myslimanëve dhe kroatëve të Bosnjes dhe gjenocidin e Srebrenicës.
Nën drejtimin e Mladiç, trupat serbe pushtuan zonën e mbrojtur nga OKB të Srebrenicës në 1995 dhe më pas vranë më shumë se 8 000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë.
Masakra e Srebrenicës, e përcaktuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Kombeve të Bashkuara në 2007, konsiderohet si mizoria më e madhe në Europë që nga Holokausti.
Eunews.al


