×
Friday, June 19, 2026

Gjermania: Marrëveshja SHBA-Iran është një mundësi për paqe, duhet shmangur përshkallëzimi në Liban

June 15, 2026


Gjermania u bëri thirrje Iranit dhe Izraelit të shmangin çdo përshkallëzim të ri të konfliktit në Liban dhe të shfrytëzojnë mundësinë që krijon marrëveshja e sapo shpallur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, e cilësoi marrëveshjen si një zhvillim pozitiv dhe një mundësi të rëndësishme për stabilitetin e rajonit.

“Irani duhet të ushtrojë ndikimin e tij mbi Hezbollahun për të garantuar që nuk do të ketë sulme të tjera kundër Izraelit. Nga ana tjetër, Izraeli nuk do të kishte asnjë arsye për të kryer sulme në Liban. Ky është një shans për të gjithë rajonin dhe duhet ta shfrytëzojmë së bashku”, deklaroi Wadephul para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg.

Kryediplomati gjerman theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbështesë procesin diplomatik, por fillimisht duhet të ketë më shumë qartësi mbi përmbajtjen dhe kushtet e marrëveshjes mes Uashingtonit dhe Teheranit.

“Duhet të kuptojmë në detaje thelbin e marrëveshjes. Kjo do të jetë më e qartë pas publikimit të plotë të saj”, tha ai.

Wadephul nënvizoi gjithashtu se vendet evropiane mund të luajnë një rol në garantimin e sigurisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme tregtare dhe energjetike në botë.

Sipas tij, Bashkimi Evropian mund të shqyrtojë zgjerimin e misionit detar Aspides për të kontribuar më aktivisht në sigurinë e trafikut detar në rajon.

“Është në interesin e Evropës që Ngushtica e Hormuzit të funksionojë normalisht dhe pa pengesa. Nëse mund të kontribuojmë për këtë qëllim, duhet të jemi të gatshëm ta bëjmë”, u shpreh ministri gjerman.

Deklaratat e Wadephul vijnë në një moment kur komuniteti ndërkombëtar po ndjek me vëmendje zhvillimet pas marrëveshjes SHBA-Iran dhe ndikimin që ajo mund të ketë në sigurinë e Lindjes së Mesme.




Comments are closed.