Rama: Dhuna online dhe bllokimi i rrugëve po dëmtojnë debatin publik dhe turizmin
June 15, 2026
Kryeministri Edi Rama replikoi në rrjetet sociale me protestuesin Nertil Shuli, duke theksuar se askush nuk synon mbylljen e debatit publik, por se dhuna online, bullizimi dhe bllokimi i rrugëve përbëjnë, sipas tij, një cenim të demokracisë dhe të lirisë së lëvizjes.
Rama e vlerësoi Shulin si një protestues “atipik”, duke theksuar se ai mendon ndryshe nga qeveria, por nuk përdor gjuhë fyese apo akuza në komunikimin publik.
“Askush nuk kërkon mbyllje të debatit publik, po dhuna online, bullizimi i njerëzve në rrugë, bllokimi i rrugës së aeroportit nuk janë debat, po mbytje e debatit, helmim i hapësirës publike dhe dhunim i lirisë së lëvizjes”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar protestave të fundit, kreu i qeverisë tha se protesta është një e drejtë legjitime demokratike, por shtoi se përhapja e, sipas tij, shpifjeve dhe fabrikimeve dëmton vendin dhe imazhin e tij ndërkombëtar.
“Por t’u bësh jehonë shpifjeve, gënjeshtrave, fabrikimeve si ato që tërhoqën vëmendjen e tërë botës që gjeti në Shqipëri shesh për përsheshet e veta politike, ideologjike apo deri edhe fetare, është goditje ndaj vendit padyshim”, deklaroi ai.
Rama u ndal edhe te investimi në Sazan dhe Zvërnec, duke theksuar se qeveria disponon të gjitha faktet dhe procedurat që lidhen me projektin.
“Qeveria nuk pretendon se ka ndjekur procedurat, qeveria i ka të gjitha faktet për këtë dhe transparenca është pikërisht rreshtimi i fakteve”, tha ai.
Kryeministri argumentoi se bllokimi i rrugëve, përfshirë aksin drejt aeroportit, po ndikon negativisht në sezonin turistik dhe në ekonominë e vendit.
Në reagimin e tij, Rama kundërshtoi edhe pretendimin se protestuesit po etiketohen në bllok, duke theksuar se protesta përfshin kategori të ndryshme individësh.
“Askush nuk i ka futur të gjithë protestuesit në një thes, po kjo protestë ka brenda mozaikut të saj nga të gjitha dhe ‘turmën e manipuluar’ e thanë vetë protestuesit e zhgënjyer nga ikja pas berihait mbrëmë natën”, shkroi ai.
Duke komentuar shqetësimin e Shulit se qeveria dhe Partia Socialiste mund të jenë përfituesit e vetëm të situatës aktuale, Rama u përgjigj se kjo ndodh sepse qeveria, sipas tij, di të dëgjojë dhe të nxjerrë mësime nga zhvillimet.
“Më vjen keq për shqetësimin por kjo është e vërteta, në fund dy përfitues realë do të ketë dhe e di pse? Pikërisht sepse kjo qeveri di të dëgjojë e të nxjerrë mësime, ndërsa Partia Socialiste ka me vete të vërteta të atilla, që njerëzit e zakonshëm të këtij vendi i dinë shumë mirë”, u shpreh Rama.
Në fund të reagimit, kryeministri theksoi se problemi nuk qëndron te mungesa e shpjegimeve, por te refuzimi për t’i dëgjuar ato.
“Problemi nuk janë shpjegimet, problemi mbetet kur disa nuk duan t’i dëgjojnë shpjegimet dhe as duan të komunikojnë qetësisht. Rasti yt është shumë i rrallë në lumin e harbimit digjital”, përfundoi Rama.