Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, prezantoi nisjen e programit “Shkolla Verore 2026” gjatë një takimi me drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar, ekspertë të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësues të World Vision Albania.
Sipas ministres, programi do të zbatohet këtë vit në 47 shkolla, 45 në Tiranë dhe 2 në Kamëz, me pjesëmarrjen e rreth 7500 nxënësve.
Kumbaro u shpreh se programi synon t’u ofrojë fëmijëve një verë aktive dhe edukative përmes një kalendari të pasur aktivitetesh.
“Ky program do t’u ofrojë fëmijëve një kalendar të pasur aktivitetesh, ku nxënësit do të kenë mundësinë të përfshihen në klube të ndryshme si arti, sporti, muzika, mjedisi, teknologjia dhe shumë të tjera, duke krijuar hapësira për të mësuar, krijuar, socializuar dhe kaluar kohë cilësore larg ekraneve”, tha ministrja.
Ajo theksoi se në zbatimin e programit do të angazhohen mësues, punonjës socialë, oficerë sigurie dhe të rinj vullnetarë nga gjimnazet, në kuadër të programit “Pas Shkolle”.
“Për zbatimin e këtij programi është angazhuar një staf i gjerë mësuesish si pjesë e paketës së programit ‘Pas Shkolle’, por edhe punonjës socialë, oficerë sigurie dhe të rinj vullnetarë nga gjimnazet, të cilët do të kontribuojnë që fëmijët të përjetojnë pushime verore të bukura, aktive dhe kreative”, u shpreh Kumbaro.
Nxënësit do të kenë mundësi të bëhen pjesë e 10 klubeve tematike, mes të cilave Klubi i Artit dhe Punëve të Dorës, Klubi i Leximit dhe Tregimeve, Klubi i Sportit dhe Lojërave Fizike, Klubi i Teatrit dhe Dramës, Klubi i Eksperimenteve Shkencore, Klubi i Muzikës dhe Ritmit, Klubi i Mjedisit dhe Kujdesit për Natyrën, Klubi i Teknologjisë dhe Krijimtarisë Digjitale, Klubi i Lojërave Logjike dhe Strategjike, si dhe Klubi i Kulturës dhe Gjuhëve të Huaja.
Për realizimin e aktiviteteve është parashikuar edhe bashkëpunimi me institucione të ndryshme kulturore dhe artistike, si Cirku Kombëtar dhe Biblioteka Kombëtare, me synimin për të pasuruar përvojën edukative dhe sociale të nxënësve gjatë pushimeve verore.