Kapitulli 31 “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes” vijon të mbetet një nga kapitujt më të avancuar të Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, theksoi se Progres-Raporti i fundit i Komisionit Evropian e vlerëson këtë kapitull me nivelin më të lartë të përgatitjes.
Sipas saj, ky vlerësim merr rëndësi të veçantë në një periudhë kur rendi ndërkombëtar po përballet me sfida dhe paqëndrueshmëri në rritje.
Fino nënvizoi se Shqipëria mbetet një partnere e besueshme e Bashkimit Evropian në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë, duke u linjëzuar plotësisht me qëndrimet dhe vendimet e BE-së.
“Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti kemi realizuar 52 linjëzime me deklaratat dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian”, deklaroi ajo.
Zëvendësministrja bëri të ditur se për zbatimin e masave shtrënguese ndërkombëtare është ngritur Komiteti Kombëtar për Masat Shtrënguese, ndërsa Shqipëria vijon angazhimin aktiv në organizata ndërkombëtare si OKB, OSBE dhe UNESCO.
Duke folur për sigurinë kibernetike dhe kërcënimet hibride, Fino tha se Shqipëria ka forcuar kuadrin ligjor dhe institucional në këtë fushë. Ajo përmendi anëtarësimin e vendit në Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride, si edhe në Qendrën e Ekselencës së NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike Bashkëpunuese në Estoni.
Sipas saj, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme është krijuar një sektor i posaçëm për sigurinë kibernetike, si dhe një grup ndërinstitucional kundër kërcënimeve hibride.
Fino u ndal edhe te Kapitulli 30 “Marrëdhëniet me jashtë”, i cili lidhet me përafrimin e politikave tregtare, zhvillimore dhe humanitare të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
Ajo bëri të ditur se ministria ka udhëhequr hartimin e dokumentit të politikave dhe projektligjit për bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim dhe ndihmën humanitare, në përputhje me kërkesat e Komisionit Evropian.
“Shqipëria po kalon gradualisht nga një vend kryesisht përfitues i asistencës ndërkombëtare drejt një roli më aktiv si kontribuues në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Për këtë arsye nevojitet një kuadër i qartë ligjor, institucional dhe financiar”, u shpreh Fino.
Ajo sqaroi gjithashtu se Kapitulli 31 ka vetëm një piketë përmbyllëse, ndërsa Kapitulli 30, në fushat që mbulon Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nuk ka piketa përmbyllëse.
Pas prezantimit, Komisioni vendosi me shumicë votash që pjesa e mbetur e seancës dëgjimore të zhvillohej me dyer të mbyllura për shkak të natyrës së çështjeve të trajtuara.