×
Sunday, September 25, 2022

Glauk Konjufca zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës

December 26, 2019

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca, u zgjodh kryetar i ri i Kuvendit të Kosovës në seancën e parë konstitutive të legjislaturës së 7-të parlamentare.

Edhe pse para fillimit të seancës nuk u arrit marrëveshje për koalicionim midis VV-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), VV ushtroi të drejtën e saj si subjekti më i madh politik në Kuvend për të propozuar kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit.

Deputeti dhe lideri i VV-së, Albin Kurti, propozoi Glauk Konjufcën dhe ai u mbështet nga 75 deputetë, ndërsa 27 ishin kundër dhe 6 abstenuan.

Konjufca falënderoi deputetët për konstitutimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe për besimin që ia dhanë.

Më pas janë zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit, përkatësisht anëtarët e Kryesisë së Kuvendit nga tre subjektet më të mëdha. Me 104 vota pro, një kundër dhe tre abstenime për nënkryetarë të Kuvendit me një votim janë zgjedhur Arbria Nagavci nga VV, Kujtim Shala nga LDK dhe Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). 

Nga Lista Serbe për anëtar të kryesisë është zgjedhur Slavko Simić, ndërsa nga pakicat tjera është zgjedhur deputeti Fitim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke e Kosovës (KDTP). Ata u votuan me një votim, me 92 vota pro, dy kundër dhe dy abstenime.

Para votimeve, betim dhanë 111 e pranishëm nga 120 deputetët sa numëron gjithsej Kuvendi i Kosovës. Pjesa tjetër do të betohet në seancën tjetër të Kuvendit.

Në këtë përbërje parlamentare, VV ka 29 deputetë, LDK 28, PDK 24, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 13, Nisma 6, Lista Serbe 10 dhe 10 minoritetet tjera, duke përfshirë edhe 2 deputetët turq.

Seanca u kryesua nga deputetja më e vjetër në këtë përbërje, Jahja Kokaj nga VV dhe u ndihmua nga deputetja më e re, Fjolla Ujkani, gjithashtu nga VV.

Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën më 6 tetor, ku Lëvizja Vetëvendosje doli fituese, e ndjekur nga LDK.

AA

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments