×
Saturday, October 1, 2022

Gjykata Kushtetuese/ Shqipëria plotësoi kushtin kryesor për Konferencën e parë Ndërqeveritare me BE

January 1, 2021

Pas emërimit të 7 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në fund të vitit 2020, duke e bërë funksionale këtë gjykatë, plotësohet kushti kryesor për mbledhjen e tryezës së parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Ndërkombëtarët e përshëndetën bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar si “një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në BE të Shqipërisë  në Konferencën e parë Ndërqeveritare”.

Lidhur me planin e veprimit për plotësimin e 15 rekomandimeve të Këshillit Europian të 25 marsit 2020, MEPJ ka punuar gjatë vitit 2020 në dy drejtime: në drejtim të bashkëpunimit me institucionet europiane me rol të rëndësishëm në përcaktimin e kornizës së këtij procesi dhe në drejtim të procesit teknik të përgatitjeve.

E rëndësishme, është se jo të gjitha kushtet, ndër 15 të tilla, janë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, një pjesë janë edhe për kornizën e negociatave dhe pjesa tjetër si parakushte për hapjen e kapitujve të negocimit sipas metodologjisë së re.

Lidhur me drejtimin e parë, pas hapjes së bisedimeve përmes “po-së” së kushtëzuar, për marrjen e konferencës së parë ndërqeveritare dhe për negocimin e kapitujve ka një listë kushtesh.

Ka filluar procesi teknik i përgatitjeve për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe ka nisur informimi i Komisionit Europian lidhur me të dhënat relevante të zhvillimeve teknike në vend.

MEPJ ka punuar intensivisht lidhur me hendekun legjislativ mes legjislacionit europian dhe shqiptar, si çështje thelbësore para kornizës negociuese.

Më 1 korrik është diskutuar lidhur me kornizën negociuese, diskutim ky që vazhdoi me presidencën gjermane. Miratimi i kornizës negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u jep palëve një skicë të qartë se si të veprojnë dhe drejtohen me agjendën europiane.

Si drejtim të dytë të orientimit të punës janë ato që cilësohen si “detyrat e shtëpisë”. Ministria e Punëve të Jashtme ka mbajtur komunikim intensiv me Komisionin Europian, duke dhënë kontributin për raportin e ardhshëm të progresit.

Ndër kushtet imediate, listohet reforma elektorale ku mund të përmenden hapat pozitiv të ndërmarra sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR-it, sigurimi i kuorumit në Gjykatë Kushtetuese, plotësimi i vakancave në Gjykatë të Lartë dhe fillimi nga puna të SPAK-ut.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments