Gjermania, 300 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën

17 Nov 2026 • 19:44
Shpërndaje:

Gjermania do t’i ofrojë Ukrainës një paketë të re ndihme ushtarake me vlerë 300 milionë dollarë, e përqendruar kryesisht në forcimin e mbrojtjes ajrore, në një kohë kur Rusia po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase në prag të dimrit.

Lajmi u bë i ditur të martën nga ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ndihma do të ofrohet në kuadër të nismës PURL (Lista e Nevojave të Prioritizuara të Ukrainës), një mekanizëm përmes të cilit vendet aleate financojnë blerjen e armatimeve amerikane për Ukrainën. Në këtë paketë, Gjermania do të bashkëpunojë me Norvegjinë për të siguruar pajisje dhe municione të nevojshme për mbrojtjen nga sulmet ajrore ruse.

Reklamë Ola

“Rusia po shton sulmet e saj ajrore, sepse nuk po arrin përparim në fushën e betejës”, deklaroi Pistorius, duke theksuar nevojën për mbështetje të vazhdueshme dhe të shpejtë ndaj forcave ukrainase.

Paketa e re përfshin raketa të drejtuara për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, ndërsa Gjermania ka konfirmuar gjithashtu furnizimin me sisteme IRIS-T dhe raketa përkatëse, të cilat ishin paralajmëruar më herët.

Reklamë InterMedika

Ministri gjerman bëri të ditur se Berlini po punon edhe për integrimin e raketave IRIS-T në sistemet norvegjeze NASAMS, me synimin për të rritur kapacitetet e Ukrainës për të përballuar sulmet me raketa dhe dronë.

Pistorius theksoi se mbrojtja e hapësirës ajrore ukrainase mbetet një përparësi për aleatët perëndimorë, veçanërisht në kushtet kur sulmet ruse ndaj objekteve energjetike rrezikojnë furnizimin me energji elektrike dhe ngrohje gjatë muajve të dimrit.

Sipas tij, mbështetja ushtarake për Ukrainën nuk duhet parë si një akt bamirësie, por si një investim i drejtpërdrejtë në sigurinë e Evropës dhe në përpjekjet për të penguar agresionin e presidentit rus, Vladimir Putin.

Gjermania mbetet një nga mbështetëset kryesore ushtarake të Ukrainës në Evropë, ndërsa vendet aleate po përpiqen të përshpejtojnë furnizimet me sisteme të mbrojtjes ajrore për të përballuar intensifikimin e sulmeve ruse.