Fundi i konsensusit të koronavirusit
Javët e fundit, shoqëria në Gjermani qe pajtuar që Corona mund të frenohet vetëm duke ruajtur distancën midis njerëzve. Martin Muno beson se ky konsensus po shkatërrohet.
Në një kohë kur në shumë vende janë në fuqi ndalimet më të rrepta për të dalë nga shtëpia dhe kur në New York janë gërmuar si masë paraprake varreza masive, Gjermania dukej se po e kalonte krizën jashtëzakonisht të mirë. Pa dyshim: edhe këtu virusi po përhapet, vdekje ka edhe këtu, qindra mijëra njerëz e humbasin edhe këtu punën dhe të ardhurat . Por deri tani Gjermania paraqitet mirë në krahasim me vendet e tjera: masat shtrënguese janë relativisht të buta, numri i vdekjeve është i ulët. Ekzistonte gjithashtu një konsensus i jashtëzakonshëm se strategjia e distancimit shoqëror është e duhura, megjithëse kërkon sakrificë nga shumë njerëz.
Por ky konsensus po shkatërrohet gjithnjë e më shumë: njerëzit vërshojnë në zona këmbësorësh dhe në parqe sikur të mos kishte pasur kurrë kërkesë për të ruajtur distancën. Përfaqësues të biznesit bëjnë garë me njëri-tjetrin kush të kërkojë një fund më të shpejtë të kufizimeve. Dhe politikani i Gjelbërve Boris Palmer kritikon pa u druajtur faktin se në Gjermani, shpëtohen me sakrifica të mëdha ndoshta njerëz “që do të vdisnin gjithsesi për gjashtë muaj”.
Dëshira nostalgjike për “normalitet”
Kritika aktuale për izolimin ndonjëherë tingëllon shumë qesharake. Për shembull, kur regjisori i teatrit Frank Castorf shkrehet publikisht e thotë se nuk dëshiron “të jetë zonja Merkel që të më thotë me fytyrë të përlotur që duhet të laj duart”. Shpesh është e kuptueshme kur, për shembull, prindërit e fëmijëve të vegjël dëshirojnë të rihapen kopshtet ditore ose sheshet e lojrave. Ndonjëherë e gjitha kalon deri në neveri, kur virologu më i njohur i Gjermanisë, Christian Drosten, merr kërcënime me vdekje.
Sigurisht, të gjithë dëshirojmë që shteti të kthehet në gjendjen para pandemisë, e cila përshkruhet si “normale” kudo. Por edhe atëherë ekzistonin ndryshimi i klimës, refugjatët që mbyteshin në Mesdhe dhe shoqëritë e fluturimeve në pushime falimentonin edhe atëherë. Dhe Donald Trumpi nuk po flet marrëzi vetëm këto ditë. Jo, bota nuk qe në rregull. Por mund të vizitoje të afërmit, të pije një pije kur doje në një pijetore, të përqafoje miqtë. Katolikët mund të shkonin në meshën e së së dielës dhe muslimanët ta ndërprisnin së bashku agjërimin gjatë Ramazanit.
Debate të nevojshme
Por ndjenjat nostalgjike nuk na ndihmojnë për momentin. “Normaliteti” i kërkuar është ende larg. Nëse në fillim mbyllja ishte një ndryshim emocionues, ne tani po luftojmë me ultësirën – një ultësirë fundi i së cilës është i paparashikueshëm.
E kuptueshme është gjithashtu që ka konfuzion në rritje në mes të popullatës: a ndihmon maska në fytyrë apo nuk ndihmon? Jo vetëm që mendimin për këtë e ka shprehur çdo politikan, madje edhe Instituti Robert Koch, i cili është kompetent në këto pyetje, ka ndjekur këto ditë një kurs me zikzake. Kjo nuk bën që të respektohet autoriteti i politikanëve dhe i ekspertëve.
Liri ose jetë, konflikti në të cilin jemi të gjithë
Nga ana tjetër, më e rëndësishmja shpesh kalon në plan të dytë: fakti është se një virus kërcënon shëndetin dhe jetën e të gjithë njerëzve në një masë të paparë – edhe nëse disa të infektuar e kalojnë atë shumë butë. Po ta braktisim tani politikën e “rrafshimit të kurbës”, rrezikojmë një përhapje të pafrenuar të virusit dhe miliona vdekje. Ky fakt duhet të jetë i padiskutueshëm, por gjithnjë e më shumë ai vihet në dyshim ose minimizohet.
Kufizimi i përkohshëm i lirive tona individuale në favor të shëndetit dhe jetës së njerëzve – ky është një konflikt objektivash, para të cilit ndodhemi të gjithë, si kancelarja, ashtu edhe arkëtarja. Këtu nuk luan rol nëse lejohen të hapen së pari dyqanet e makinave apo mobiljeve.
Liria nënkupton vetëm kushtimisht të bësh ato gjëra që dëshiron të bësh. Përkundrazi, bëhet fjalë për një kuptim të saj, siç e ka formuluar prej kohësh filozofi Georg Friedrich Wilhelm Hegel: liri do të thotë të bësh një zgjedhje racionale në rrethanat që ke. Në situata të jashtëzakonshme si kjo, kjo gjithashtu mund të nënkuptojë thjesht pranimin e kufizimeve./ Martin Muno
Eunews.al