×
Tuesday, April 28, 2026

Perandoria e re oqeanike e Iranit

April 28, 2026


Nga David Wengrow, The New Statesman

A nënkupton situata aktuale në Ngushticën e Hormuzit, fundin e “lirisë së detërave?”

Përgjatë muajve të ardhshëm, me gjasë do të dëgjojmë shumë më tepër rreth “lirisë së detërave,” sepse bllokada iraniane dhe amerikane e Ngushticës së Hormuzit e ka kthyer këtë në çështjen më të nxehtë të kohës tonë. Ajo që po ndodh atje tani mund të ndodhë shumë lehtësisht në Ngushticat e Melakas, arterjen kyçe detare që lidh Gjirin e Bengalit me Detin e Kinës Jugore, ndërsa ka ndodhur ndërkaq në shkallë më të vogël në Bab el-Mandeb, në hyrje të Detit të Kuq, falë përpjekjeve të rebelëve Huthi. Duket sikur brenda natës kemi kaluar nga një botë ku rrugët e transportit detar që ushqejnë ekonominë botërore iu përkasin të gjithëve, në një botë ku ato janë pronë ekskluzive e shteteve ndërluftuese që kanë kapacitetin e nevojshëm për ta “kthyer njëri-tjetrin në epokën e gurit përmes bombardimeve.”

Mos vallë kjo është mënyra se si vjen fundi i historisë? A është arritja më e madhe e Homo Sapiens – më e zgjuara mes specieve – ngritja e kurthit të përsosur për shkatërrimin e vetes?

Në vitin 2015, juristi i njohur gjerman dhe ish-gjykatësi i Tribunalit Ndërkombëtar për Ligjin e Detit, Rudiger Wolfrumshprehej se: “Liria e lundrimit është një nga parimet më të vjetra dhe më të gjithëpranuara në regjimin ligjor që qeveris hapësirën oqeanike.” Më tej, ai shpjegoi se, qysh nga sanksionimi i saj në “Mare Liberum,” një traktat i vitit 1609 nga juristi holandez Hugo Grotius, ky parim “përbën një nga shtyllat e ligjit të detit dhe ka qenë origjina e ligjit ndërkombëtar modern.” Është tunduese të mendohet se “liria e detërave” ishte një koncept liberal Perëndimor i shpikur nga Grotius – një mendimtar i rëndësishëm europian – dhe se më pas iu prezantua Azisë së paditur e të zhytur në despotizëm, e cila nuk arriti kurrë të kuptonte domethënien e vërtetë të saj. Në këtë rast, veprimet e Iranit sot do të shërbenin për ta ilustruar diçka të tillë, ndërsa Amerika do të pretendonte se po provokon. Por diçka e tillë është shumë larg të vërtetës.

Wolfrumvetëm sa artikuloi një consensus që ekzistonte që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Për të kuptuar rrënjët e situatës aktuale, na duhet të gërmojmë më thellë në themelet e saj. “Liria e Detërave” u paraqit si parim ligjor në shekullin e 17-të mes shteteve europiane të shkatërruara nga luftëra që kishin qenë rezultat direkt i garës për të kontrolluar tregtinë e erëzave në Oqeanin Indian. Grotius e shkurajit traktatin e tij me kërkesë të kompanisë Duch East India, ose VOC. Kur juristët e sotmë i referohen me tone adhuruese “lirisë së detërave” si gur themeli i ligjit ndërkombëtar, ajo që shpesh nuk arrijnë të vënë në dukje është qëllimi i saj original ishte të justifkonte një akt lufte dhe piraterie të kryer nga VOC kundër anijeve portugeze të mallrave në Ngushticat e Singaporit.

Protagonisti kryesor i saj ishte kushëriri i vetë Grotiusit, Admirali Jakob van Heemskerk, një nga të mbijetuarit e ekspeditës katastrofike të Ëillem Barents në Oqeanin Arktik, në kërkim të një kalimi për në Azi. Nën komandën  etij, në shkurt të 1603-it, luftëanijet holandeze nisën një sulm ndaj një anijeje portugeze të quajtur Santa Catarina, e cila transportonte mëndafsh, erëza, porcelain dhe mallra të tjera, vlera e të cilave arrinte gjysmën e kapitalit të VOC. Plaçka e luftës u nxorr në shitje në Amsterdam dhe VOC punësoi juristin e ri brilant Grotius që të shkruante një traktat në emër të tyre, që mbronte veprimet e van Heemskerk-ut përballë një bote mosbesuese. “Mare Liberum” është një pasazh nga ky traktat.

Në fakt, kuptimi i plotë i mare liberum, siç shtjellohet nga Hugo Grotius, ishte se kombet kanë të drejtë ligjore t’i shpallin luftë kujtdo që kërkon të pengojë tregtinë mes palëve që duan të bëjnë tregëti me njëra-tjetrën. Pas Luftës së Dytë Botërore, Grotius u cilësua si “themeluesi i ligjit ndërkombëtar,” përmes shkrimeve të figurave të ndritura si Sir Hersch Lauterpacht, gjykatës pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga 1955 deri në 1960-ën. Lauterpach e adopotoi studiuesin e holandez si figurën kryesore për rendin global të bazuar tek rregullat, që ai dhe bashkëkohësit e tij po përpiqeshin të ndërtonin, një familje Kombesh të Bashkuara nën zotimin se nuk do t’i përsërisnin kurrë tmerret e të shkuarës së afërt.

Qysh atëherë, të flasësh për “traditën Grotiane” nënkupton të flasësh për perspektivat më të mira të njerëzimit për krijimin e një sistemi ndërkombëtar qeverisesje të bazuar jo tek forca, por tek sundimi i ligjit. Një botë ku grabitja, zhvatja dhe gjenocidi janë të ndaluara. Por kështjellat e ngritura në rërë bien një ditë në det. Ndërsa Hugo Grotius argumentonte parimisht për mare liberum – liria e detërave – punëdhënësi i tij, VOC, ndiqte politika të pamëshirshme të mare clausum (“det i mbyllur”) kudo në Oqeanin Indian. Ndër të tjera, ato politika përfshinin një gjenocid kundër banorëve të Ishujve Banda në 1621-in, që iu siguroi holandezëve kontroll mbi ato që deri atëherë ishin burimet e vetme të arrëmyshkut në botë.

Mos ndoshta kjo histori duhet të hedhë një tjetër dritë mbi ngjarjet aktuale? Mos vallë tani po shohim një rikthim tek origjina e vërtetë e mare liberum, përmes perandorive, kolonizimit dhe luftës? Apo do të qe më mirë ta kufizonim vëmendjen tek ngjarjet që po shpalosen tepër shpejt në të tashmen? Sigurisht, ajo që ka rëndësi janë kornizat ligjore dhe arsyet përse ezkistojnë dhe jo rrënjët e tyre historike në ngjarje që kanë ndodhur shumë kohë para se ekonomia botërore të bëhej e varur nga nafta dhe gazi, apo edhe para shpikjes së anijes me avull. Por, të marrësh një këndvështrim kaq të ngushtë, do të thotë të humbasësh diçka thelbësore. Marrëveshjet tona aktuale botërore nuk janë rezultat vetëm i sipërmarrjeve tregtare, forcës brutale apo perandorisë. Ato ishin fillimisht vepra të një imagjinate politike. Nëse hamendësojmë se ka një rrugëdalje nga ngërçi aktual, ajo do të kërkojë edhe më shumë imagjinatë për të parandaluar përsëritjen e të njëjtit skenar, me një fund fatal.

Perspektiva jonë si specie për të jetuar në një botë më pak kërcënuese, kufizohet nga aftësia jonë për të kuptuar rrënjët e situatës në të cilën gjendemi. Mund ta nisim duke nxjerrë në pah se vetëm disa dekada para “epokës europiane të zbulimeve,”  Oqeani Indian – përfshi Ngushticën e Hormuzit – gati sa nuk u kthye në një det të dominuar nga Kina (sikurse disa mund të vënë në dukje, kjo mund të ndodhë edhe sot). Në dekadat e para të shekullit të 15-të, anijet luftarake të dinastisë Ming lundronin të papenguara nëpër rrugët detare përreth Gadishullit të Malajzisë, Indisë, Persisë dhe Arabisë, si edhe drejt Bririt të Afrikës. Rreth viteve 1430, Kina ishte e destinuar të pretendonte hegjemoninë e saj mbi të gjithë rajonin, nga Java në Mozambik.

Por, kinezët u tërhoqën. Kur anijet e Vasco da Gamas, në 1497-ën, i ranë rreth e rrotull Kepit të Shpresës së Mirë, luftëanijet kineze ishin zhdukur prej kohësh. Ajo që portugezët gjetën në vend të tyre ishte një enigmë. Në atë kohë, Oqeani Indian ishte një botë vibrante e tregtisë detare dhe qytetesh-porte kozmopolite, që shtriheshin nga Bregdeti i Suahilit në Afrikën Lindore, në Arkipelagun Malajzian në azinë juglindore. Trafiku detar lëvizte nga të gjitha drejtimet. Disa prej qyteteve më të mëdha në Gadishullin Malajzian ishin të krahasueshme për nga madhësia me ato të gadishullit Iberik, por nuk kishin mure rrethuese. Paraja përdorej gjerësisht dhe kishte kode të shkruara ligjore që tregonin se si rregullohej prona dhe tregëtia në tokë. Nga ana tjetër, kishte një dakordësi të qartë se deti nuk ishte pronë e askujt.

Si kish lindur kjo botë, ku askush nuk kishte pretendime pronëse ekskluzive mbi portet e mëdha dhe rrugët detare, apo pa i mbështetur të drejtat mbi një apparat kontrolli ushtarak? Përse askush nuk kishte vendosur supremacinë e vet mbi pikat kyçe të tregtisë në gojën e Detit të Kuq dhe Ngushticave të Melakas dhe Hormuzit? Historiani portugez Joao de Barros shkruante se asnjë sovran nuk i zotëronte ujërat e Azisë dhe “portugezët, si Zotër të Detërave, kanë të drejtë të konfiskojnë mallrat e të gjithë atyre që lundrojnë në det pa lejen e tyre.” Ai shkruante gjithashtu se ekzistonte një set ligjesh që garantonin “të drejtën e të gjithëve për të lundruar në det,” por shtonte se Portugalia nuk qe e detyruar t’i zbatonte ato zakone egërsirash.

Gjatë dekadave të para të shekullit të 16-të, flotat portugeze do ta hapnin rrugën e tyre përmes bombardimeve, djegies dhe ujdive drejt porteve të Bregut të Suahilit, Gjirit Persik, Gujaratit, Malabarit dhe më pas drejt Gjirit të Bengalit, Gadishullit të Malajzisë dhe më në fund, drejt ishujve të erëzave të Malukut dhe Detit Banda. Përgjatë kësaj, ata ndërtuan një rrjet fortesash që vëzhgonin qytetet e rëndësishme bregdetare, përfshi Hormuzin. Perandoria e tyre detare, Estado da India, paraqiti një politikë të mare clausum, që kufizonte kalimin e anijeve tregtare, të cilave iu kërkohej të pajiseshin me një lloj pasaporte të quajtur cartaz. Çdo anije që kapej duke lundruar pa të, konsiderohej shenjestër legjitime për t’u bombarduar dhe grabitur.

Gjatë viteve 1550, Portugalia pretendoi të drejta ekskluzive mbi Ngushticat e Melakës, thelbësore për tregtinë globale të erëzave. Si përgjigje, ndodhën disa zhvillime të tjera, efektet e të cilave vazhdojnë të jehonojnë deri në ditët tona. Një prej tyre, siç kemi parë, ishte artikulimi i “lirisë së deteve” si një doktrinë ligjore e luftës së drejtë, mbi të cilën sot varen shumë gjëra. Një tjetër ishte artikulimi i xhihadit, gjithashtu si luftë e drejtë, në përgjigje të shkatërrimeve portugeze përgjatë bregdetit të Malabarit në Indinë jugore. “Dhurata e Muxhahidëve: Disa rrëfime për portugezët” u hartua në vitin 1583 nga Zajn al-Din al-Malibari, një jurist sunit nga Kerala. Duke përmendur përpjekjet portugeze për të monopolizuar tregtinë e erëzave dhe mizoritë e kryera në Kalikut dhe Malabar, ai bëri thirrje për rezistencë të armatosur në mbrojtje të një qytetërimi ku njerëz të besimeve të ndryshme kishin bashkëjetuar, por që tani po shqyenin njëri-tjetrin në fyt.

Al-Malibari ishte polemik, por nuk po shpikte thjesht gjëra. Epoka e madhe e tregtisë në Oqeanin Indian ishte njëkohësisht një epokë mikpritjeje. Melaka, qyteti-port më i madh në Gadishullin Malajzian, strehoste enklava rezidente kinezësh, tamilësh (kryesisht hindu), javanë dhe myslimanë guxharatë. Tregtarët indianë kishin lidhje me familje tregtare në Aden dhe Hormuz, portet kyçe të Detit Arabik dhe Gjirit Persik. Tamilët tregtonin gjerësisht përreth Gjirit të Bengalit dhe Detit të Kinës Jugore. Banorët javanë ruanin lidhje të ngushta me portet pasasir të atdheut të tyre dhe zhvillonin tregti detare në të gjithë ishujt përreth, nga Luzoni në Filipine deri në Banda. Hebrenj, armenë, persianë dhe jemenas u vendosën të gjithë në Melaka.

Grotiusi, në fakt, e nisi “Mare Liberum” duke vërejtur se e drejta për t’u angazhuar në tregti është e sanksionuar në ligjet e mikpritjes. Këto ligje, sipas tij, janë “të shenjta” dhe kanë përparësi ndaj ligjeve të kombeve të veçanta (ai mbështetej këtu në shkrimet e Francisco de Vitoria dhe Shkollës së Salamankës). Portugezët, duke dërguar anije luftarake për të bllokuar hyrjet e mbretërive që dëshironin të strehojnë dhe të tregtojnë me holandezët, po vepronin kështu kundër Zotit dhe ligjit natyror. Por më pas ai e braktisi këtë temë dhe kaloi në zhvillimin e një argumenti të bërë nga autorë të lashtë si Virgjili dhe Ciceroni, mbi faktin se disa gjëra në natyrë – si detet, ajri dhe drita e diellit – nuk mund të rrethohen apo të mbyllen, ndaj do të ishte kundër ligjeve të natyrës t’i trajtoje ato si pronë private, siç po bënin portugezët me ujërat e Oqeanit Indian.

Në praktikë, holandezët ndoqën pikërisht të kundërtën e mare liberum. Nga mesi i shekullit të 17-të, VOC mbante një monopol mbi tregtinë e erëzave më të plotë se çdo gjë që kishin arritur portugezët, i zbatuar përmes bllokadave dhe një sistemi të ri pasaportash. Në një konferencë në Londër më 1615, Kompania Angleze e Indisë Lindore mbrojti të drejtën e saj për të marrë pjesë në tregtinë e erëzave, jo kundër Portugalisë, por kundër holandezëve. Avokatët anglezë citonin gjerësisht nga “Mare Liberum”, pa e ditur se autori i saj qëndronte pikërisht përpara tyre si delegati kryesor i Republikës Hollandeze në Londër. Grotiusi ndërmori veprime shmangëse dhe argumentoi kundër parimeve të traktatit të vet.

Ndoshta tragjedia e vërtetë e gjithë kësaj është se ujërat e “Mare Liberum” të Grotiusit përmbajnë materiale për një histori krejt tjetër të lirive njerëzore nga ajo që ai na la trashëgim. Në vitin 1615, duke iu përgjigjur kërkesave të VOC që Makasari – një port i madh në Sulavesin Jugor – të ndërpriste tregtinë me Ishujt e Erëzave, sundimtari i tij, Sulltan Ala’ud-Din, u përgjigj: “Vendi im është i hapur për të gjitha kombet… Zoti krijoi tokën dhe detin, ndau tokën mes njerëzve dhe detin ua dha të përbashkët. Është një gjë e padëgjuar që dikujt t’i ndalohet të lundrojë në det. Nëse do ta bënit këtë, do të ishte si t’i hiqnit bukën nga goja njerëzve.” As këto nuk ishin thjesht fjalë boshe apo retorikë ligjore.

Makasari, në atë kohë, kishte hequr tarifat mbi tregtinë detare dhe promovonte një politikë portash të hapura, duke mirëpritur tregtarë, përfshirë holandezë dhe portugezë, që vinin për të blerë erëza nga Ishujt Maluku. Ishte gjithashtu një strehë paqeje relative dhe tolerance fetare, ku komunitete të huaja që luftonin diku tjetër linin armët. Ka një ironi të dukshme këtu. Si parim i së drejtës ndërkombëtare, liria e lundrimit i atribuohet – jo atyre që e praktikuan dhe e predikuan atë – por Grotiusit, në shërbim të një korporate biznesi, qëllimi i vetëm i së cilës ishte të arrinte të kundërtën, duke imponuar monopole tregtare dhe kontroll ekskluziv mbi rrugët detare të Oqeanit Indian. Dikush mund të shkojë, në fakt, edhe më tej. Disa studiues e kundërshtojnë idenë se “Mare Liberum” u ndikua nga ligjet dhe praktikat detare bashkëkohore aziatike, apo edhe nga ndërveprimi i ideve europiane dhe aziatike në Oqeanin Indian, por të tjerë janë të hapur ndaj kësaj mundësie.

Sido që të jetë, është domethënëse që në letrat private drejtuar sulltanëve dhe rajave të Indive Lindore, të hartuara nga Grotiusi në emër të VOC, juristi holandez shpalos një koncept lirie që bie në kundërshtim të fortë me argumentet e tij në “Mare Liberum”. Liria është baza e miqësisë suaj me holandezët, shkruante ai, por liria dhe siguria duhet të paguhen. Luftërat e zhvilluara për të çliruar Inditë nga tirania iberike janë të kushtueshme, u kujton ai sulltanëve vendas, dhe këto kosto duhet të mbulohen duke i dhënë VOC të drejta të përhershme dhe ekskluzive për të blerë prodhimet e karafilit dhe arrëmyshkut, me çmime të fiksuara.

Në emër të lirisë, po krijohej një sistem marrëdhëniesh globale i bazuar në dhunë dhe zhvatje. Për ata që kishin pushtet, kjo nënkuptonte lirinë për të imponuar kushte mbi të dobëtit sipas dëshirës; për ata që nuk e kishin atë, nënkuptonte “lirinë” për të marrë pjesë në një lojë që nuk ishte e tyre. Siç do ta shprehte më vonë vetë Grotiusi, nuk mund të ketë “paqe mes kombeve pa ushtri, as ushtri pa pagesë, as pagesë pa tribut”, një ndjesi e pasqyruar një shekull më vonë edhe nga Charles Boone, guvernatori britanik i Bombait: “nëse s’ka forcë detare, s’ka tregti; nëse s’ka frikë, s’ka miqësi”.

Ka shumë gjasa që do të dëgjojmë edhe më tepër për “lirinë e deteve”. Si parim ligjor, sot ajo formëson vendime jo vetëm për ekonominë globale, por edhe për luftën dhe paqen, migracionin dhe azilin politik, si dhe për zgjerimin e oqeaneve të nxitur nga ndryshimet klimatike. Ata që e përmendin këtë parim mund të kujtojnë jo vetëm mënyrën se si ai hyri në ligjin ndërkombëtar, në shërbim të pushtimeve europiane në Oqeanin Indian, por edhe se të njëjtat ujëra përmbajnë histori të tjera lirie, të bazuara në parimet e mikpritjes, dhe jo në aftësinë për të frikësuar dhe bombarduar armiqtë deri në nënshtrim.

Në vitet 1960, juristi polak CH Alexandrowicz argumentoi se historia jonë konvencionale për origjinat e së drejtës ndërkombëtare është e përmbysur. Pas Luftës së Dytë Botërore, kombet e sapopavarësuara të Afrikës dhe Azisë zakonisht konsideroheshin si aktorë të rinj në skenën ndërkombëtare, pa përvojë të mëparshme sovraniteti. Sipas Alexandrowicz-it, kjo është e gabuar. Në fakt, shumë prej këtyre kombeve kishin gëzuar njohje të plotë të sovranitetit të tyre që në shekullin e 16-të. Vetë Grotiusi shkroi në këtë mënyrë për Inditë Lindore. Portugezët, këmbëngulte ai, nuk mund të konsideroheshin pronarë të ligjshëm të vendeve në Sumatra apo Ishujt Maluku, pasi ato “tani kanë, dhe gjithmonë kanë pasur, sundimtarët, qeveritë, ligjet dhe të drejtat e tyre”.

Ajo që i dha fund kësaj ishte pushtimi perandorak, që do të thoshte se jo-europianët u përjashtuan nga “familja e kombeve”, dhe më pas u detyruan të aplikonin për t’u ripranuar sipas kushteve perëndimore, si partnerë të dorës së dytë me ndikim të kufizuar mbi vendimet e marra nga shtetet, pushtimet e të cilave i kishin bërë tashmë jashtëzakonisht të pasura dhe të fuqishme. Nëse është kështu, atëherë ndoshta ajo që po shohim tani përreth Ngushticës së Hormuzit nuk është thjesht përulja e makinerisë ushtarake amerikane, por një kthesë e vërtetë e rrjedhës, larg një rendi botëror të imponuar nga Perëndimi, dhe drejt një bote ku çështjet e mare liberum debatohen mes traditave të ndryshme.




Comments are closed.