Franca dhe Gjermania në ngërç, Macron e Steinmeier drejt fundit të mandateve

10 Oct 2026 • 10:25
Shpërndaje:

Marrëdhëniet mes Francës dhe Gjermanisë po përballen me sfida të rëndësishme politike, ekonomike dhe ushtarake, ndërsa presidentët Emmanuel Macron dhe Frank-Walter Steinmeier po i afrohen fundit të mandateve të tyre në vitin 2027.

Vizita dyditore e presidentit gjerman në Francë u shoqërua me ceremoni solemne dhe mesazhe për forcimin e bashkëpunimit, por nxori në pah edhe mosmarrëveshjet që vijojnë të pengojnë projektet e përbashkëta të dy vendeve.

Macron e priti homologun gjerman me nderime ushtarake nën Harkun e Triumfit në Paris, një gjest simbolik që synonte të theksonte rëndësinë e miqësisë franko-gjermane.

Reklamë Ola

Megjithatë, sipas një analize të Deutsche Welle, partneriteti mes dy fuqive europiane ka nevojë për ide të reja, në një kohë kur të dyja vendet përballen me presione ekonomike, pakënaqësi sociale dhe rritjen e mbështetjes për forcat politike populiste.

Mosmarrëveshjet për projektet ushtarake

Reklamë InterMedika

Një prej çështjeve më të ndjeshme mbetet bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes.

Pas dështimit të projektit të përbashkët për avionët luftarakë të gjeneratës së ardhshme, FCAS, pikëpyetje janë ngritur edhe për programin Main Ground Combat System (MGCS), që synon zhvillimin e një sistemi të ri tankesh.

Gjatë vizitës së Steinmeierit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm francez, gjenerali Fabien Mandon, deklaroi se Gjermania ishte tërhequr nga projekti. Një ditë më vonë, ai sqaroi se programi ishte shtyrë dhe jo anuluar.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, hodhi poshtë pretendimet për ndërprerjen e bashkëpunimit, duke theksuar se MGCS mbetet një projekt kyç për të dy vendet.

Sipas tij, Franca dhe Gjermania do të vijojnë të bashkëpunojnë për zhvillimin e sistemeve pa pilot, teknologjive të automatizuara dhe përpunimin digjital të informacionit në fushën e betejës.

Mbrojtja bërthamore, një tjetër çështje në diskutim

Gjatë vizitës, dy presidentët u ndalën edhe në institucione dhe kompani të sektorit të mbrojtjes dhe hapësirës pranë Bordosë, përfshirë ArianeGroup, që prodhon raketat bërthamore M51 për nëndetëset franceze.

Vizita riktheu në vëmendje propozimin e Macronit për forcimin e rolit të kapaciteteve bërthamore franceze në sigurinë europiane.

Presidenti francez ka kërkuar prej vitesh zhvillimin e një dialogu strategjik për mbrojtjen bërthamore të Europës, veçanërisht në kushtet e pasigurisë për angazhimin afatgjatë amerikan në kontinent.

Gjermania dhe disa vende të tjera europiane kanë shfaqur interes për diskutime mbi këtë nismë, e cila mund të përfshijë stërvitje të përbashkëta dhe bashkëpunim më të ngushtë ushtarak.

Megjithatë, Franca nuk ka propozuar vendosjen e përhershme të armëve të saj bërthamore në vende të tjera dhe ruan të drejtën ekskluzive për vendimmarrjen mbi përdorimin e tyre.

Presionet politike dhe ekonomike

Përveç mbrojtjes, Parisi dhe Berlini përballen edhe me sfida në koordinimin e politikave ekonomike europiane.

Së fundmi, dy vendet kanë mbështetur një nismë për masa më të forta të Bashkimit Europian kundër konkurrencës së pandershme, veçanërisht ndaj produkteve të subvencionuara nga shtete të treta.

Ndërkohë, politologu Jacob Ross, i cituar nga Deutsche Welle, vlerëson se dy presidentët nuk kanë arritur të paraqesin një vizion të përbashkët për përballimin e krizave aktuale.

Sipas tij, propozimet e Macronit për të ardhmen e Europës shpesh nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme nga Berlini, ndërsa Gjermania nuk ka paraqitur gjithmonë alternativa konkrete.

Vizita e Steinmeierit përfundoi pa njoftimin e ndonjë nisme të madhe të re për marrëdhëniet dypalëshe.

Me largimin e pritshëm të Macronit dhe Steinmeierit nga detyra në vitin 2027, e ardhmja e partneritetit franko-gjerman pritet të jetë një nga çështjet që do të trashëgojnë pasuesit e tyre.