Fluturimi i parë direkt Tiranë-Toronto, Shqipëria hyn në epokën e fluturimeve transoqeanike
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) shënoi sot një moment historik për aviacionin civil shqiptar me inaugurimin e fluturimit të parë direkt mes Tiranës dhe Torontos, linja e parë transoqeanike në historinë e Shqipërisë.
Avioni Airbus A330-200 i kompanisë kanadeze Air Transat u ul në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 13:30, ku u prit me një ceremoni të posaçme nga përfaqësues të qeverisë shqiptare, drejtues të Aeroportit të Tiranës dhe të Kastrati Group.
Pak orë më vonë, në orën 16:00, u nis edhe fluturimi i parë nga Tirana drejt Torontos, duke hapur një kapitull të ri në lidhjet ajrore mes Shqipërisë dhe Amerikës së Veriut.
Kompania Air Transat, e shpallur nga Skytrax si “Kompania më e mirë ajrore për udhëtime turistike në botë” për vitin 2025, do të operojë një fluturim në javë, çdo të premte, deri më 8 tetor 2026.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një arritje të jashtëzakonshme për vendin.
“Për herë të parë Shqipëria bëhet pjesë e hartës së fluturimeve transoqeanike. Deri dje kjo do të dukej si një fantazi e shfrenuar, ndërsa sot është bërë realitet”, deklaroi Rama.
Ai theksoi gjithashtu rritjen e jashtëzakonshme të trafikut ajror në Shqipëri gjatë dekadës së fundit.
“Në vitin 2016 aeroporti kishte 2.2 milionë pasagjerë dhe 22 mijë fluturime në vit. Në vitin 2025 numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe fluturimet në 82 mijë. Objektivi ynë është të kalojmë 100 mijë fluturime në fund të kësaj dekade”, tha Kryeministri.
Rama zbuloi se objektivi i radhës është hapja e një linje direkte me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e cilësoi linjën e re si një urë të rëndësishme lidhëse mes Shqipërisë dhe Kanadasë.
“Kjo lidhje e re do të forcojë marrëdhëniet me diasporën shqiptare në Kanada dhe do të krijojë mundësi të reja për turizmin, biznesin, investimet dhe shkëmbimet kulturore”, u shpreh ai.
Ndërsa ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se më 30 maj Aeroporti i Tiranës regjistroi ditën me numrin më të lartë të pasagjerëve në histori, me 51,420 udhëtarë në vetëm një ditë.
Drejtori Operacional i TIA-s, Piervittorio Farabbi, tha se fluturimi direkt me Toronton përfaqëson një portë strategjike drejt Atlantikut të Veriut dhe një mundësi të re për turizmin, tregtinë dhe investimet.
Edhe zëvendëspresidenti i Air Transat, Howard Liebman, vlerësoi potencialin e Shqipërisë si destinacion turistik.
“Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një nga destinacionet më tërheqëse të Europës. Kjo linjë forcon praninë tonë në një treg me potencial të lartë dhe zgjeron rrjetin tonë transatlantik”, deklaroi ai.
Ambasadorja e Kanadasë në Shqipëri, Elissa Goldberg, e cilësoi inaugurimin si një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Ky nuk është vetëm fluturimi i parë direkt mes Kanadasë dhe Shqipërisë, por edhe lidhja e parë direkte e Tiranës me Amerikën e Veriut. Është një urë e re që afron popujt tanë dhe hap mundësi të reja bashkëpunimi”, tha ajo.
Sipas autoriteteve, linja Tiranë-Toronto pritet të ketë ndikim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e kthyer Tiranën në një portë hyrëse drejt Amerikës së Veriut.







