Flakadanë dhe tensione në Kuvend, Niko Peleshi përjashton 4 demokratë nga seanca

29 Oct 2026 • 13:44
Shpërndaje:

Tensionet në Kuvendin e Shqipërisë kanë vijuar edhe gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje, ku deputetët e opozitës kanë ndezur flakadanë, duke penguar zhvillimin normal të punimeve.

Pas situatës së krijuar dhe dy ndërprerjeve të seancës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin direkt në procesin e votimit. Propozimi u hodh në votim dhe u miratua me votat e socialistëve.

Më pas, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi përjashtimin nga seanca për ditën e sotme të katër deputetëve demokratë, Blendi Himçi, Ivi Kaso, Bledion Nallbati dhe Xhelal Mziu, pasi ndezën flakadanë në Parlament.

Reklamë Ola

“Blendi Himçi, Ivi Kaso, Bledion Nallbati përjashtohen nga seanca. Jeni të përjashtuar nga seanca për ditën e sotme. Xhelal Mziu gjithashtu merr masën e përjashtimit për ditën e sotme”, deklaroi Peleshi.

Të pranishëm në Kuvend ditën e sotme janë edhe kreu i qeverisë, Edi Rama dhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Reklamë InterMedika