Italia shtyn ndihmën ushtarake për Ukrainën në prag të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA

28 Oct 2026 • 13:28
Shpërndaje:

Paketa më e fundit e ndihmës ushtarake të Italisë për Ukrainën mbetet pezull ndërsa qeveria e kryeministres Giorgia Meloni pret rezultatin e zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA që do të mbahen javën e ardhshme, raportoi të martën gazeta italiane “La Repubblica”.

Gazeta, duke cituar burime qeveritare, bën të ditur se paketa e 13-të është gati, por ende nuk ka marrë miratimin përfundimtar. Sipas raportit, dërgesa e mëparshme e ndihmës nga Italia për Ukrainën u krye dhjetorin e kaluar. Roma i kishte dhënë garanci presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se do ta miratonte paketën brenda muajit tetor, me dërgesat e raketave të parashikuara për në fund të muajit.

Megjithatë, deri të hënën në mbrëmje, komisioni parlamentar që mbikëqyr shërbimet e inteligjencës, i njohur si “Copasir”, nuk është mbledhur për të shqyrtuar dekretin. Paketa përfshin raketa të mbrojtjes ajrore “Aster 30”, të kërkuara nga Ukraina për të mbrojtur Kievin dhe qytete të tjera nga sulmet ruse.

Reklamë Ola

Dekreti kërkon nënshkrimet e ministrit të Mbrojtjes, Guido Crosetto, ministrit të Punëve të Jashtme, Antonio Tajani dhe ministrit të Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti. Sipas raportit, Crosetto dhe Tajani e mbështesin miratimin ndërsa disa burime qeveritare sugjerojnë se Giorgetti po heziton për shkak të kundërshtimit të mundshëm nga lideri i partisë “Lega”, Matteo Salvini.

Vendimi përfundimtar i takon Melonit ndërsa Crosetto kishte paralajmëruar privatisht për një pengesë politike që duhej zgjidhur. Miratimi është shtyrë tashmë disa herë. Fillimisht pritej në korrik, më pas në shtator, e më pas u shty për pas kongresit të partisë “Lega”.

Reklamë InterMedika

Burime qeveritare tani preferojnë të presin zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA, të martën e ardhshme, për të vlerësuar qasjen e ardhshme të Washingtonit dhe për të përshtatur qëndrimin e Italisë në përputhje me të. Në këtë vonesë ndikojnë edhe faktorë të politikës së brendshme, përfshirë kundërshtimin ndaj dërgimit të armëve nga ish-kryeministri Giuseppe Conte si dhe shqetësimet se një veprim i tillë mund t’i japë hov politik Roberto Vannacci-t.

Sipas raportit, zyrtarët italianë u kanë kërkuar jozyrtarisht homologëve të tyre ukrainas që të tregojnë durim.