Europianët i japin fitoren Ukrainës/ Vota e publikut përmbysi jurinë, Zelensky: Vitin tjetër festivali në Mariupol
I prekur nga vala e mbështetjes së publikut europian që e çoi Ukrainën drejt fitores në Eurovision, Volodymir Zelensky u zotua që vitin e ardhshëm, festivali të mbahet në qytetin e Mariupolit, sot të shkatërruar nga bombardimet ruse.https://02e124524f115e23b5428d68b54e5723.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
“Edhe pse kjo nuk është pjesë e luftës, për ne çdo fitore është e rëndësishme, prandaj le ta festojmë fitoren tonë. Për herë të tretë në historinë e vendit, dhe besoj jo të fundit. Ne do të bëjmë çmos që një ditë të presim pjesëmarrësit dhe të ftuarit e Eurovizionit në Mariupol të një Ukraine të lirë, të paqtë e të rindërtuar. Falënderoj Orkestrën Kalush për këtë fitore dhe të gjithë ata që na dhanë votat tuaja. Jam i sigurt se tingulli i fitores dhe në betejën me armikun nuk është i largët. Lavdi Ukrainës”, tha ai.
Triumfi i vendit të vet në festivalin europian të këngës u pa gjerësisht si një mesazh sfidues ndaj Vladimir Putinit. Pjesëtarët e grupit ukrainas, Kalush Orchestra përcollën gjithashtu një mesazh falënderimi për solidaritetin e treguar me ta.
“Dua të falënderoj çdo ukrainas dhe diasporën tone, e këdo tjetër nëpër botë që votoi për ne dhe na ndihmoi t`i çonim fitoren Ukrainës. Kjo trofe është shumë e rëndësishme për vendin tonë, sidomos këtë vit. Jam i sigurt se vitin që vjen, do ta mirëpresim Eurovisionin në një Ukrainë të re, të integruar e të lumtur”, tha Oleh Psjuk, pjesë e Kalush Orchestra.
Vendi i gjunjëzuar nga lufta përfundoi me 631 pikë në natën finale, Britania e Madhe u rendit e dyta me 466 pikë. Vendin e tretë e mori Spanja e të katërtin Suedia, ndërsa Franca e Gjermania u rreshtuan në fund të listës, një element ky të cilin mediat britanike nuk lanë pa e theksuar.
Ashtu siç nënvizuan gjithashtu se Britania, një aleate e vendosur e Ukrainës gjatë pushtimit rus, pothuajse arriti një fitore shokuese pasi kryesoi për pjesën më të madhe të natës, përpara se të mposhtej vetëm në fund.
Në të kundërt, Gjermania dhe Franca, liderët e të cilëve janë kritikuar se nuk janë treguar mjaft të ashpër ndaj agresionit të Rusisë, ishin dy vendet e fundit në garën e këtij viti, nënvizon shtypi anglez.
”Stefania” e grupit folk-rap Kalush Orkestra është kthyer në një himn lufte për Ukrainën gjatë pushtimit.