Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale e globale.
Sipas presidencës turke, Erdogan shprehu përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara dhe përshpejtimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Ai theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të shënojnë 100-vjetorin vitin e ardhshëm.
Presidenti turk tha se Ankaraja po ndjek nga afër zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit dhe në Jemen, duke punuar aktivisht për zgjidhje diplomatike.
Erdogan shprehu gjithashtu gatishmërinë e Turqisë për të mbështetur përpjekjet për rifillimin e procesit diplomatik mes Ukrainës dhe Rusisë, me synim përfundimin e luftës.
Sipas të njëjtit njoftim, Trump i përcolli homologut të tij dhe popullit turk urimet për Ditën e Republikës. Ai uroi gjithashtu zhvillimin me sukses të samitit të Organizatës së Shteteve Turke.


